Vepra e artit më e shtrenjtë e shekullit të 20-të është piktura e Andy Warhol  “Shot Sage Blue Marilyn” e Marilyn Monroe, e shitur për 195 milionë dollarë.

Shtëpia e ankandeve Christie në New York ka nxjerrë në shitje pikturën me përmasat 1 me 1, që tani është bërë vepra më e shtrenjtë e krijuar nga një artist amerikan.

Vepra e 1964-ës tregon një pamje të parë të Marilyn Monroe me flokë të verdhë, ton sysh blu dhe buzë të kuqe në një sfond të kaltër.

Kjo është vepra e artit më e shtrenjtë e shekullit të 20-të. “Është një çmim i jashtëzakonshëm”, ka thënë Alex Rotter, presidenti i Christie.

Kjo shitje lë shumë mbrapa pikturën e  1982-shit të Jean-Michel Basquiat, një fytrë me pamje kafke që u shit në 2017-ën për 110.5 milionë dollarë.

Blerësi i paidentifikuar e ka blerë veprën të hënën e kaluar për një shifër shumë afër vlerësimit të bërë nga Christie, që në fillim të vitit ka parashikuar se do ta shiste pikturën për 200 milionë dollarë.

Të ardhurat do të shkojnë për Fondacionin Thomas dhe Doris Ammann në Zyrih, që synon të ndihmojë fëmijët në vështirësi.

Warhol nuk e ka takuar kurrë Monroe, por ai ka bërë shumë portrete të saj pas ndarjes nga jeta të Marilyn në 1962-shin. Kjo vepër në veçanti është ekspozuar në muze përreth botës.