Për Mourinhon, fillimi i sezonit nuk ishte me fat. Fillimisht humbi Wijnaldum, pas ndeshjes së parë të sezonit të ri në Serie A; pas ndeshjes së dytë edhe Zaniolo, ndërsa dje përfunduan në “infermieri” Kumbulla dhe El Shaarawy.
Të dy lojtarët, të cilët u larguan nga fusha gjatë ndeshjes ndaj Monza, pësuan lëndime muskulore. Mbrojtësi shqiptar ka probleme në kofshën e majtë, ndërsa sulmuesi në muskulin ‘psoas’ të kofshës së majtë. Kjo është përgjigja nga testet instrumentale, të cilave iu nënshtruan dje në Trigoria.
Të dy do të mungojnë për një muaj. Rikthimi është planifikuar për më 2 tetor, për ndeshjen kundër Interit. Kjo nënkupton se Kumbulla nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Edy Reja për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, të planifikuar të luhen më 24 dhe 27 shtator ndaj Izraelit në transfertë dhe Islandës në shtëpi, respektivisht.
Pra, jo pak probleme për Mourinhon. Vendi i parë në renditje pas shtatë vitesh është i shtrenjtë. Trajneri nuk ka ndryshuar role për tre qendërmbrojtësit dhe pa El Shaarawy ka një zgjidhje më pak për sulmin, duke pasur parasysh se “Faraoni” është përdorur gjithmonë në ndeshjet e para të kampionatit. Të paktën kushtet e Zaniolos po përmirësohen.
Ende i veshur me mbajtësen e shpatullave, sulmuesi ishte në tribunë në “Olimpico”, të martën dhe vazhdon të stërvitet. Rikthimi i tij pritet pas dy javësh, për ndeshjen kundër Atalantës, të planifikuar më 18 shtator. Me mungesën e Kumbullës, Smalling, Mancini dhe Ibañez do të duhet të punojnë “jashtë orarit” këtë muaj.
Ditën e djeshme shqiptari shprehu zhgënjimin e tij në rrjetet sociale: “Isha shumë i interesuar për ndeshjen e parë si titullar këtë sezon dhe doja t’i përgjigjesha dashurisë së ‘Olimpico’. Fatkeqësisht, fati nuk ishte mik me mua dhe nuk do të mund ta ndihmoj skuadrën për pak. Sidoqoftë, do të kthehem së shpejti dhe do të jap gjithçka. Daje Roma”.