Elseid Hysaj është një nga mbrojtësit më të fortë në historinë e futbollit shqiptar. Ai shpërtheu në Itali nën drejtimin e Maurizio Sarrit, fillimisht tek Empoli, pastaj te Napoli. Sot është bërë një emër i spikatur në Serie A, ku me gjasë do ta vazhdojë karrierën te Lazio. Falë shkathtësisë, qëndrueshmërisë dhe palodhshmërisë së tij, shkodrani kuqezi është një top-lojtar në rolin e vet. Të gjitha këto karakteristika natyrore janë gjithashtu rezultat i një jete, që është çdo gjë tjetër, përveç “normales”.

Babai i tij, Gzim Hysaj, arriti në Itali me një varkë, duke shpresuar të gjente një të ardhme më të mirë në Itali. Por hasi vetëm pasiguri, vështirësi dhe racizëm. Duke u rregulluar me punë të ndryshme, duke ndihmuar gruan dhe Elseidin e vogël, një ditë u punësua si murator për njëfarë Marco Piccioli, agjent profesionist futbolli. Ishte ky i fundit që i premtoi Gëzimit se do t’i jepte të birit një shans sa më shpejt që të rritet. Dhe katër vite më vonë ia dha.

Elseid bëri një provë te Fiorentina, ku iu bëri përshtypje të gjithëve, por nënshkroi me Empolin për disa probleme burokratike të klubit vjollcë. Kështu filloi një ngjitje për të, deri te marrja pjesë në Champions League dhe sukseset me Napolin. Tashmë, Hysaj bën një jetë luksoze, ku pasioni për makinat e bukura bie menjëherë në sy.

Në fakt, futbollisti shqiptar zotëron makina të rëndësishme, të tilla si “Porsche 911 Turbo”, një fuoristradë “Jeep Wrangler”, një Audi S8 luksoz, si dhe një makinë të aftë të kombinojë dëshirën e tij për sportivitet dhe agresivitet, me komoditet më të madh për udhëtime të gjata familjare.

Duke folur për familjen, Elseid është martuar që nga viti 2019 me Fiorenza Lekstakaj. Pasi u takuan në vitin 2013, të dy treguan një dashuri të madhe, duke tejkaluar të gjithë kufijtë dhe çdo vështirësi. Pasi sollën në jetë fëmijën e tyre të parë, Elis, ata vendosën të martoheshin me një ceremoni madhështore në kalanë e Shkodrës.