Shkrimtarja dhe deputetja e Parlamentit të Shqipërisë, Flutura Açka humbi 5 vite më parë djalin e saj të vetëm në moshën 18-vjeçare. Në emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan ajo shprehet se humbja e fëmijës të bën të humbësh një dimension që nuk arrin ta shpjegosh. Ndër të tjera, shkrimtarja nënvizon se nuk e di nëse procesi i sëmundjes dhe parapërgatitja në një farë mënyre ishte për më mirë, por tani ndien se është vetëm një qenie robotike që kryen të gjitha funksionet, por nuk ka shqisa.

“Ne kemi humbur dimensionin e mesëm, ne kemi humbur dimensionin e të ardhmes, të  paktën unë kështu e kam konceptuar. Jam një qenie robotike, më shumë në kufijtë e biologjikes, kam vetëm një koshiencë minimale si artiste që duhet të bëj atë, e them kështu në thonjëza, fëmijën e dytë që të paktën mund ta zotëroj, që është letërsia dhe e kam kuptuar në gjithë këtë kohë, në këto 5 vite që asgjë më nuk më bën të shkundur, asgjë nuk më bën më të ndiej, asgjë…

Kam humbur senset, një njeri i ndjeshëm, duhet të jesh shkrimtare, duhet të jesh artiste të kuptosh, po flasim për një tjetër lloj ndjeshmërie që ta jep pikërisht kjo lloj zeje dhe e kam humbur, por e kuptoj që i vetmi moment kur mund të ketë ndonjë dromcë lumturi, nëse mund të quhet lumturi, është kur shkruaj.

Po ruaj këtë dimensionin minimal të jetës time, të tjerat pastaj…  me keqardhje takoj njerëz çdo ditë, flasin, sigurisht edhe nga pikëpamja mentale, jam e detyruar ta kem këtë aftësi të komunikimit, e kam të paktën këtë derë komunikative, por nuk u them dot njerëzve që janë përballë që nuk ndiej asgjë, edhe sikur të më thonë që ndoshta mund të kenë humbur fëmijën e tyre, unë nuk e ndiej dot më.

Kam keqardhje të madhe për ta, nuk e kam më atë ndjeshmëri. Jam shndërruar tërësisht, jam një qenie pa ndjesira, edhe sikur të më qukësh lëkurën nuk e ndiej më, kështu është”- u shpreh shkrimtarja dhe deputetja Flutura Açka në emisionin ‘Shije Shtëpie’ në Tv Klan.