Aktori i njohur shqiptar, Alex Seitaj ishte i ftuar së fundmi në emisionin ‘Rreze Dielli’ në Report TV, ku ka rrëfyer se si e ka nisur karrierën e tij, ndërsa u shpreh se nuk e kishte besuar kurrë se ai do të bëhej një personazh shumë i dashur për publikun shqiptar.

”Gjatë kohës që kam studiuar në Akademinë e Arteve, askush nuk do e besonte se unë një ditë do të bëhesha aktor humori” tha Aleksi në fillim të bisedës, ndërsa tregoi se në moshën 15-17 vjeç ai ka jetuar në qytetin e Korçës, ku ka studiuar fillimisht në Shkollën e mesme të gjuhëve të  huaja “Faik Konica”, për gjuhën italiane.

Më pas, aktori tregoi se ka kaluar një gjendje të rënduar psikologjike dhe për këtë arsye vendosi të niste rrugën e aktrimit, fillimisht si një pasion. Ndihej shumë i pakuptuar nga bashkëmoshatarët, e madje ata ushtronin bullizëm ndaj Aleksit. Nuk kishte asnjë mik apo mikeshë dhe gjatë gjithë kohës qëndronte vetëm. Pasi kuptoi veten dhe doli nga gjendja jo e mirë psikologjike, nisi të mësohej me fuqinë e duartrokitjeve në interpretimet e para si aktor.

Më pas erdhi në kryeqytet, ku edhe nisi Akademinë e Arteve për aktrim, konkurs që doli i pari. Erdhën dhe eksperiencat e para televizive dhe të aktrimit duke formuar tek djaloshi personalitetin e një adoleshenti që ia doli depresionit për të cilin dha dhe një mesazh për të gjithë të rinjtë.

”Njerëzit më kanë fiksuar me rolin e Vezires, një personazh shumë i dashur tashmë për publikun, sikurse të mamasë që flet me djalin e saj, personazhi i dytë që është pritur shumë mirë nga publiku” tha Aleksi në studion e “Rreze Dielli”.