Thiago Silva, i cili kaloi 8 sezone te PSG, ka folur për shkarkimin e ish-trajnerit të klubit parizien, Thomas Tuchel. Mbrojtësi, tani i Chelsea, ka rrëfyer në një intervistë për “RMC Sports” se ai nuk është i befasuar nga largimi i Tuchel, përkundrazi, pasi kjo gjë pritej: “Shkarkimi i Thomas Tuchel? Është e vështirë të kuptohet, por ishte i parashikueshëm se do të ndodhte. Brenda dhomës së zhveshjes të gjithë e dinim se kishte situata, që do të ndryshonin së shpejti”.

Trajneri gjerman, i cili i udhëhoqi kryeqytetasit parizienë drejt finales së parë të Ligës së Kampionëve në historinë e tyre, u shkarkua para kohe nga rezultatet jo fort pozitive në Ligue 1, por edhe marrëdhënia e ngrirë me Leonardo, drejtorin sportiv të klubit. Thiago Silva i shpjegon kështu ndryshimet në stafin teknik të PSG: “Sipas mendimit tim, Leonardo ka marrë në dorë frenat e situatës dhe ka zgjedhur opsionin e tij. Por, mendoj se shkarkimi nuk ishte planifikuar pas ndeshjes kundër Strasburgut”.

Lidhur me zëvendësuesin e Tuchel, i cili do të ishte Mauricio Pochettino, mbrojtësi qendror brazilian shtoi: “Pochettino ka bërë një punë të shkëlqyeshme te Tottenham. Mendoj se është shumë i motivuar, 20 vjet pasi kontribuoi edhe si lojtar te PSG. Ai e njeh mirë situatën dhe klubin ku ka shkuar”.