Ndodh edhe kështu. Një eurodeputet, Ciaran Cuffe, e ka mbajtur fjalimin e tij në Parlamentin Europian (PE) me një veshje të pazakontë, pa kostum e kollare, sikurse ndodh zakonisht në këtë tempull politik kontinental.

Ai i ka befasuar kolegët, kur ka dalë në podium me ngjyrat kuqezi. Po, po, ngjyrat kuqezi, me një fanellë të kombëtares shqiptare të futbollit. Fare mirë mund të pyesni se çfarë e shtyu eurodeputetin në fjalë të bënte këtë lloj “sfilate”, të respektonte e bënte krenarë shqiptarët?

Në fakt, ai njihet si një mbështetës i vendit tonë në hapat e integrimit europian. Dje, para se të vishej kuqezi e të dilte në podiumin e PE, ai takoi kryebashkiakun e Elbasanit, Gledian Llatja, i cili ndodhej në Bruksel për një vizitë zyrtare.

Ky i fundit ia bëri dhuratë fanellën e kombëtares kuqezi, të cilën eurodeputeti vendosi ta “inaugurojë” në fjalimin që kishte planifikuar në Parlamentin Europian. Në profilin e tij në Twitter, Ciaran Cuffe shkruan:

“Takova sot kryebashkiakun Gledian Llatja nga Elbasani. Ai është në Bruksel për të marrë një çmim për kryebashkiakët miqësorë ndaj romëve nga komisioneri OliverVarhelyi, një arritje për të cilën duhet të krenohemi! Shembull nga Ballkani Perëndimor”.

Ndërkohë, gjatë fjalës së mbajtur në Parlamentin Europian, ai nënvizoi ndër të tjera: “Vendet e Ballkanit Perëndimor ndajnë me ne vlerat europiane, por spektri i lu*tës në Ukrainë rëndon mbi rajonin atje. Unë kam qenë në Shqipëri së fundi dhe pashë për herë të parë zhgënjimin në rritje me procesin e integrimit europian.

Shqipëria ka bërë përpjekje të mëdha ndaj ne duhet të hapim menjëherë negociatat e anëtarësimit. Nëse nuk e bëjmë, jo vetëm që ne nuk do të jemi në lartësinë e përgjegjësive tona, por rrezikojmë që të rrisim ndërhyrjen e atyre që përdhosin vlerat tona”.

Ciarán Cuffe është një politikan irlandez, i cili është zgjedhur deputet i Parlamentit Evropian për zonën elektorale të Dublinit që nga korriku 2019. Ai është anëtar i Partisë së Gjelbër, pjesë e Partisë së Gjelbër Evropiane. Po kështu, ka shërbyer më parë si Ministër i Shtetit në Irlandë nga viti 2010 deri më 2011.