Ruajtja e barnave në mënyrën e duhur është thelbësore për të ruajtur integritetin, dhe për rrjedhojë, efektivitetin e përbërësve të ndryshëm aktivë.

Kështu, veçanërisht në verë, është e rëndësishme t’i kushtohet vëmendje ku mbahen pilulat, shurupet, suplementet dhe të ngjashme për t’i mbajtur ato të pandryshuara me kalimin e kohës.

Për shembull, ekspertët këshillojnë fuqimisht të mos ruani ilaçe në banjë dhe kuzhinë, mjedise ku i gjejmë shpesh, ndoshta në një kuti të veçantë ose të vendosur në një sirtar me besimin se po bëjmë mirë. Por po gabojmë.

Arsyeja e parë pse banjo dhe kuzhina nuk janë shumë të këshillueshme është lagështia në këto mjedise, e cila bën që ilaçet të përkeqësohen më shpejt, duke ulur efektivitetin e tyre dhe gjithashtu duke përshpejtuar datën e skadencës së tyre në krahasim me atë të treguar në paketim.

Megjithatë, shkalla e lagështisë në dhoma nuk është arsyeja e vetme pasi edhe temperatura ndikon në ruajtjen e produkteve.

Mjafton të mendojmë për luhatjen e temperaturave kur soba ose furra është e ndezur, ose kur gjatë dimrit ndezim ngrohësin e ujit para se të bëjmë dush.

Vitaminat, suplementet dhe pilula të ndryshme ndikohen negativisht nga ndryshimet e nxehtësisë së kombinuar me nivelet e lagështisë që mund të arrijnë banjat dhe kuzhinat.

Më mirë, pra, mjedise në të cilat temperatura nuk i nënshtrohet ndryshimeve shumë ekstreme, por mbahet sa më konstante.

Nga ana tjetër, shumë zgjedhin frigoriferin, por edhe kjo nuk është zgjidhja më e mirë, pasi i ftohti mund të dëmtojë ilaçet.

Dhe këtu duhet bërë një dallim: në fakt ka përbërës aktivë që duhen mbajtur në frigorifer (në këto raste, treguesi është i qartë në produkt).

Për shembull, disa probiotikë, antibiotikë ose vaj peshku të lëngshëm kërkojnë temperatura të ulëta. Zgjedhja më e mirë është t’i ruani ilaçet larg ekspozimit të drejtpërdrejtë ndaj dritës së diellit, në një vend të freskët dhe të thatë si komodina ose garderoba në dhomën e gjumit.