Në Indi, një burrë u rrah pasi puthi gruan e tij teksa po shijonte një moment relaksi në ujërat e lumit Saryu në Ayodhya, i konsideruar i shenjtë nga shumë hindu. Burrat përreth çiftit të ri e kanë cilësuar aktin e puthjes si tejet vulgar dhe, pasi e kanë tërhequr zvarrë nga krahu burrin nga gruaja e tij, kanë filluar ta shajnë, ta shtyjnë dhe ta godasin vazhdimisht në fytyrë.

Gjithçka u kap në një video që u bë shpejt virale në të gjitha platformat sociale. “Ky vulgaritet (puthja e gruas) nuk do të tolerohet në Ayodhya“, dëgjohet duke bërtitur në turmë. “Nuk ke familje, largoje nga këtu! Duhet të kesh turp“, bërtiti një i ri ndërsa të tjerët vazhdonin ta rrihnin burrin. Ndërkohë, gruaja u përpoq shumë të ndalonte grupin e tërbuar që të rrihte burrin e saj, por u pushtua nga masa e njerëzve rreth bregut, pak pasi partneri u nxor nga uji.

Kryeinspektori i policisë Ayodhya, Shailesh Pandey, tha se nuk ka marrë ende asnjë raport në lidhje me incidentin. Megjithatë, policia po punon për identifikimin e çiftit në mënyrë që ata të marrin masat e duhura ligjore ndaj sulmuesve.

Shfaqjet publike të dashurisë në Indi – PDA (Public Display of Affection) mund të jenë të paligjshme në Indi. Kodi Penal Indian përcakton se “aktet e turpshme në një vend publik” që janë “të bezdisshme për të tjerët” nuk mund të kryhen. Duke cituar këtë kod, shumë çifte janë arrestuar për puthje në publik.

Megjithatë, ligji nuk jep një përkufizim të saktë të akteve të turpshme dhe, pas një arrestimi, Gjykata e Lartë vendosi: “Është e paimagjinueshme se si shprehja e dashurisë mund të lidhet me krimin e “turpësisë”. Në atë rast, policia u sanksionua dhe u detyrua t’i shkruante një letër falje çiftit.