Situata me pandeminë Covid-19 nuk është aspak e mirë në Indi, që për momentin është vendi më i prekur nga virusi vdekjeprurës. Qeveria e këtij vendi ka bërë me dije se në 24 orët e fundit është regjistruar rekordi i 332 mijë të infektuarve, rekord edhe në rang botëror për një ditë të vetme.

Ndërsa numri i viktimave është 2.263 në 24 orët e fundit, duke e çuar në 189 mijë numrin e personave që kanë humbuer jetën që nga fillimi i pandemisë. Ndërsa numri i të infektuarve në Indi ka shkuar në 16 milionë persona. Një shifër që konsiderohet e vogël, krahasuar me popullsinë e këtij vendi (1.3 miliardë).

Gjithsesi, situata në spitale është e rëndë. Madje në njërin nga spitalet Covid ka rënë zjarr, pikërisht në repartin e terapisë intensive, duke sjellë vdekjen e 13 pacientëve që ishin të shtruar. Ndërkohë, kërkesat për oksigjen janë të mëdha dhe në qendrat që i shpërndajnë ato radhët janë të gjata.