Ministria Indiane e Shëndetësisë konfirmon se ritmet e infektimit dhe të viktimave në këtë vend vijojnë të mbeten të larta. Në 24 orët e fundit janë infektuar mbi 266 mijë persona, ndërsa janë regjistruar 3.754 viktima.

Natyrisht që këto shifra janë pak më të ulta se ato të javës së kaluar, por sërish situata në shtetin aziatik është kaotike. Ndërkohë që, vijojnë kërkesat nga shumë vende që India të aplikojë një “lockdown” kombëtar për të vënë nën kontroll pandeminë.

Në Gjermani, Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar se vaksina anti-Covid e kompanisë Johnson&Johnson do të përdoret për poersonat mbi 60 vjeç. Ndërsa të rinjtë mund ta përdorin këtë vaksinë vetëm në rast se kanë dëshirë, pas një këshillimi me mjekun e familjes.

Në Kinë, numri i personave që janë vaksinuar ka arritur shifrën e 317 milionë. Lajmin e konfirmoi Komisioni Shëndetësor Kombëtar. Kjo shifër është 9 milionë më e lartë krahasuar me të dhënat e publikuara tri ditë më parë.