Goditja në tru dhe infarkti janë ndër shkaqet kryesore të vdekjes në mbarë botën, prandaj studiuesit po punojnë për të kuptuar se cilët janë shkaktarët, nëse ka arsye gjenetike, cilët individë janë më të rrezikuar dhe pse.

Ne e dimë mirë, deri më tani, se një mënyrë jetese sedentare me një dietë jo shumë të moderuar të bazuar në marrjen e mishit të kuq, yndyrës, kripës dhe alkoolit, së bashku me zakonin e pirjes së duhanit, përbëjnë shkaqet kryesore dhe më të rrezikshme për këtë lloj sëmundjesh, por një nga studimet e fundit në këtë drejtim ka ngritur pyetjen nëse rreziku pak a shumë i lartë për të pësuar infarkt mund të lidhet edhe me grupin e gjakut.

Konkretisht, shkencëtarët hetuan sulmet e hershme në zemër, pra para moshës 60 vjeçare në një gamë shumë të gjerë subjektesh: 48 studime gjenetike mbi goditjet ishemike në të rriturit midis 18 dhe 59 vjeç u analizuan për një total prej 170 mijë pacientësh të prekur nga ishemia dhe rreth 600 mijë krejtësisht të shëndetshëm.

U zbulua se rreziku i goditjeve në tru para moshës 60 vjeç ishte më i lartë tek ata me grupin e gjakut A, ndërsa ata me 0 – më i zakonshmi – ishin më pak të rrezikuar.

Ende nuk është kuptuar mirë pse grupi A është më i ekspozuar ndaj sulmeve ishemike apo në zemër, por është formuluar një hipotezë që po shqyrtohet nga studiuesit.

Mendohet se lidhja është për shkak të disa faktorëve të mpiksjes së gjakut, megjithatë ata kanë sqaruar se rreziku më i madh për sëmundjet kardiovaskulare rrjedh pikërisht nga rreziqet që i njohim mirë dhe që i kemi përmendur shkurtimisht më lart: kolesteroli i lartë, dieta me yndyrë të lartë, pak lëvizje, duhan dhe alkool.

Prandaj, ata që janë më të rrezikuar duhet ta ndryshojnë shpejt stilin e jetës, në mënyrë që frika nga ataku në zemër të largohet edhe para moshës 60-vjeçare.