Pandemia e Covid-19 ka ndikuar në rritjen e ndjeshme të vdekshmërisë në vend, sipas të dhënave që janë publikuar sot nga INSTAT. Në vitin 2020 janë shënuar gjithsej 27,605 humbje jete, me një rritje të ndjeshme prej 25.8%, raportoi INSTAT. Në total, 5,668 persona më shumë ndërruan jetë në 2020-n, në krahasim me vitin e mëparshëm. Viti 2020 ka shënuar nivelin rekord të jetëve të humbura në vend, që prej  1990-s, kur INSTAT publikon të dhënat.

Shtesa e vdekjeve është gati 5 herë më e lartë (4.8) se raportimet zyrtare nga spitalet Covid (1181 persona), duke treguar indirekt se pasojat e pandemisë në vend kanë qenë shumë më të mëdha. Shifra e raportuar nga INSTAT  pë shtesën e vdekjeve rreth 330 persona më e ulët sesa ajo e deklaruar nga Drejtoria e Gjendjes Civilie, burimi i parë i të dhënave, sipas të cilit shtesa e fataliteteve në 2020-n ishte rreth 6 mijë persona.

Në raport me mesataren pesëvjeçare 2015-2019, rritja e vdekshmërisë është e ngjashme, me rreth 21%. Ndryshe nga 6 mujori i parë, ku vdekshmëria në vend ishte me rritje të lehtë prej 4% (INSTAT ka rishikuar lehtë në rritje shifrat edhe për 6 mujorin e parë, pasi i raporti fillimisht me rënie prej rreth 3%) dhe kishte një sjellje të ngjashme me vitet e kaluara, mbarimi i karantinës në maj dhe përhapja e koronavirusit nga qershori shtuan rastet e fataliteteve në vend në nivele rekord.

Situata me pandeminë ka qenë e rënduar në tremujorin e tretë dhe sidomos në atë të fundit. Sipas INSTAT, në tremujorin e tretë u regjistruan rreth 1600 vdekje më shumë (nga +1300 që ishte raportimi i mëparshëm) , me rritje prej 32% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në të katërtin, pasojat e pandemisë kanë qenë fatale. Gjithsej u regjistruan 9,397 vdekje, me një rritje prej 73%, ose gati 4 mijë jetë të humbura më shumë se tetor-dhjetorin e vitit 2019.

Që prej vitit 2009, mesatarisht në vend, humbjet e jetës janë luhatur mes 21-22 mijë në vit, me kulmet që deri tani ishin arritur në vitin 2015 dhe 2017, që përkojnë me periudha gripale më të rënda. Tremujori i parë ka qenë tradicionalisht me më shumë humbje jete, teksa moti i ftohtë ul imunitetin kryesisht të të moshuarve.

Por 2020-a ka sjellë një përmbysje të tendencave shumëvjeçare për shkak të ndikimit që ka dhënë pandemia në rritjen e vdekshmërisë në vend. Kjo ka ndodhur në të gjithë botën, ku krahasimet me mesataren e pesë viteve të fundit kanë treguar për një nivel të lartë të vdekjeve shtesë, që i është dedikuar pasojave fatale të shkaktuara nga Covid-19.

Sipas rretheve, rritja më e lartë është regjistruar në Tiranë, por në raport me popullsinë, qarku me vdekje rekord ka rezultuar Gjirokastra. Në të gjitha qarqet në vend është shënuar një rritje e ndjeshme e fataliteteve.

Më e fortë rritja e fataliteteve për gjithë vitin 2020 ishte në Leshë (34%), Tiranë (32.3%), Elbasan (31%), Shkodër (30.9%), Fier (29%), Durrës (25%), ndërsa më e ulët ishte në Kukës (-16%), Vlorë (10.5%), Dibër (9.3%).

Në tremujorin e katërt, kur kulmoi vala e pandemisë, virusi ka qenë më fatal në Fier, ku jetët e humbura u rritën me 101% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, Elbasan (+100.6%), Berat (+90.8%), Tiranë (+81.7%), Shkodër (+76.6%), Lezhë (+68.5%), Korçë (+63.1%), Kukës (+60%), Durrës (+58.5%), Gjirokastër (+55.5%), Dibër (+40.2%) dhe më pak në Vlorë (+29.8%).
/ Monitor