E mbani mend derbin e sezonit 2017-2018, të vendosur nga Patrick Cutrone në kohën shtesë? Ishte “vetëm” një Inter-Milan i Kupës së Italisë. Asnjë Champions, asnjë luftë për “Scudetto”. Megjithatë, ishte një betejë e fortë, e gjatë, pa pengesa. E cila tani do të vihet përsëri në skenë si ndërqytetase milaneze.

Duke kapërcyer Fiorentinën 2-1, falë një goli të shënuar nga Lukaku, një hap larg goditjeve të penalltisë, skuadra e Antonio Conte fitoi mundësinë për të luajtur derbin. Çerekfinalja e parë e Kupës Italiane (2020-2021) do të ketë një bukuri unike: Inter kundër Milanit, zikaltrit kundër kuqezinjve. Siç është njoftuar sot nga “Lega Serie A”, derbi i Kupës së Italisë do të luhet në një ndeshje të vetme në “San Siro”, të martën e 26 janarit. Fillimi është planifikuar në orën 20:45.

Si në derbin e famshëm të dhjetorit 2017, ai i vendosur nga “putra” e Cutrone në krosimin e Suso, portieri Gianluigi Donnarumma do të mungojë. “Gardiani” i Milanit në të vërtetë mori karton të kuq në pankinë, gjatë ndeshjen kundër Torinos dhe, për këtë arsye, është skualifikuar për sfidën tjetër. Pak më shumë se tri vite më pare, ai u zëvendësua nga vëllai, Antonio, i cili ishte protagonist i një shfaqjeje të shkëlqyeshme. Tani do të zëvendësohet nga Ciprian Tatarusanu, vendimtar në penalltitë ndaj Torinos.

Ndërkohë, do të jenë të gjithë të tjerët, nëse nuk ndodhin lëndime ose mungesa të çfarëdo lloji. Lukaku kundër Ibrahimovic, Theo Hernandez kundër Hakimi, Rafael Leão kundër Lautaro Martinez…, prisni edhe pak kohë dhe do të shijoni përsëri derbin e Madoninës; i dyti pas atij të fituar 2-1 nga Milani në kampionat. Filloni numërimin mbrapsht…