Pas 27 vitesh histori, më 15 qershor Internet Explorer i tha lamtumirë botës. Shumë u bashkuan në lamtumirën e fundit, duke kujtuar me meme dhe postime karakteristikat paradoksale të shfletuesit të Microsoft, duke përfshirë ngarkimin e ngadaltë, ngecjet e papritura dhe rrezikun ndaj viruseve.

Në Korenë e Jugut, inxhinieri 38-vjeçar Kiyoung Jung shkoi edhe më tej: ai bëri një gur varri. Mesazhi në varrin e Internet Explorer përmbante këto fjalë: “Ishte një mjet i mirë për të shkarkuar browser të tjerë”.

Imazhi u bë jashtëzakonisht viral, veçanërisht në Reddit, ku mblodhi dhjetëra mijëra pëlqime nga përdoruesit. Sa i përket varrit, ai ishte vendosur në çatinë e një kafeneje në pronësi të vëllait të Jung. Kjo kafene ndodhet në qytetin jugor të Gyeongju.

Fundi i Internet Explorer është ndjerë thellë në Korenë e Jugut, sepse ky vend, pavarësisht se është ndër më inovativët dhe më avangardët për sa i përket teknologjisë dhe lidhjes me internetin, ka përdorur gjerësisht browser-in e Microsoft në vitet e fundit.

Deri në vitin 2014, Internet Explorer ishte i detyrueshëm për shërbimet bankare dhe blerjet në internet. Kjo për shkak se operacione të tilla bazoheshin në ActiveX, një plug-in nga Microsoft.

Jo vetëm kaq: deri më 10 qershor, Internet Explorer ishte shfletuesi i paracaktuar për faqet institucionale, si ai i qeverisë së Seulit, Korporata e Burimeve Ujore të Koresë dhe Korporata Korea e Autostradave.

Vetë Jung i tha AFP se “Në Korenë e Jugut, kur bënte punë të zhvillimit të uebit, pritej që gjithmonë të dukej mirë në Internet Explorer, sesa në [Google] Chrome.”

Inxhinieri tha gjithashtu se ishte “shumë i lumtur” me daljen në pension të përhershëm të Internet Explorer, pasi do të jetë në gjendje të punojë më mirë në faqet e internetit. Megjithatë, nuk e mohon dashurinë dhe nostalgjinë ndaj shfletuesit të zhdukur, të zëvendësuar nga Microsoft Edge.

Prej këtu ka ardhur ideja e pllakës përkujtimore. Sipas fjalëve të mjeshtrit japonez të animacionit Hayao Miyazaki, Jung beson se “njerëzit shpesh janë të lehtësuar që makinat nuk kanë shpirt, por në realitet ne, si njerëz, u japim atyre zemrat tona”.