Më 7 shtator, Apple do të prezantojë për publikun serinë e re të iPhone 14. Kjo nuk është një deklaratë zyrtare: lajmi është dhënë nga Mark Gurman i Bloomberg.

Sipas burimeve të zbardhura nga gazetari, gjatë eventit të madh të shtatorit, gjiganti i Cupertino-s do të tregojë modelin bazë iPhone 14, Pro dhe Max.

Hhedhjae  tyre në treg është planifikuar për më 16 shtator. Sipas disa analistëve, ato do të jenë në dispozicion me një çmim më të lartë se modelet e mëparshme.

Kjo vjen për dy arsye: seria e re e iPhone bazohet në sistemin operativ iOS 16, i cili sjell me vete një sërë përmirësimesh dhe mundësish personalizimi të aplikacioneve, miniaplikacioneve, ekranit të kyçjes dhe shumë më tepër.

Një përmirësim i vërtetë teknologjik që nënkupton një rritje të çmimit. Arsyeja e dytë lidhet me situatën aktuale gjeopolitike dhe ekonomike, e cila e bën të vështirë gjetjen e burimeve për prodhimin masiv të pajisjeve elektronike.

Në muajt e fundit, Apple është përballur me pezullimin e prodhimit të pajisjeve të saj në Kinë, për shkak të bllokimit të vendosur në Zhengzhou, që është fabrika më e madhe e montimit të iPhone në botë, dhe në Shenzen.

Për këtë arsye, gjiganti i Cupertino-s është i interesuar të zgjerojë prodhimin në Vietnam, në mënyrë që të jetë më pak i varur nga uzinat kineze.

Ngjarja e Apple më 7 shtator 2022 nuk do t’i kushtohet ekskluzivisht iPhone-ve. Sipas asaj që raportoi Gurman, do të ketë hapësirë ​​edhe për Apple Watch Series 8, modelet e së cilës që i përkasin gamës më të lartë do të kenë një ekran të përmirësuar.

Ka pritshmëri gjithashtu për disa funksione të reja të përfolura muajt e fundit, si aftësia për të matur temperaturën e trupit drejtpërdrejt me orën inteligjente.

Sado që Gurman është një zë i besuar në sektorin e teknologjisë, ne duhet të presim edhe disa javë për të parë këto thashetheme të konfirmuara dhe për të marrë një ide më të qartë për të ardhmen e Apple.