Këngëtarja e njohur Britney Spears ka bërë sërish lajm, që po qarkullon në rrjetet sociale. Këtë herë jo me ndonjë foto pikante, siç ka ndodhur herët e fundit, por me dasmën e saj.

Gjatë ceremonisë së dasmës që po kryente me partnerin e saj Sam Asghari, ka tentuar të hyjë ish-bashkëshorti i këngëtares, Jason Alexander. Ai është përpjekur të hyjë me forcë gjatë ceremonisë, por është ndalur nga forcat e sigurisë.

Ka qenë vetë Alexander që ka dokumentuar këtë gjë, teksa në momentin që ka synuar të prishë dasmën ka dalë “live” në rrjetet sociale (Instagram). Pasi është penguar nga forcat private të sigurisë ai është arrestuar nga policia.

Më pas, ceremonia ka vijuar normalisht dhe 40-vjeçarja Britney Spears është martuar me 28-vjeçarin Sam Asghari.

Britney më ka ftuar. Ajo është bashkëshorja ime e parë, gruaja ime e vetme. Kam qenë bashkëshorti i saj i parë. Kam ardhur këtu për të prishur dasmën”, janë fjalët që thoshte Jason Alexander gjatë kohës që ishte “live” dhe synonte të hynte në shtëpinë e këngëtares.

Fillimisht forcat e sigurisë nuk e kuptuan se bëhej fjalë për një person që synonte të hynte me forcë. Por duke parë gjestet e tij si dhe deklaratat që bënte, ai u ndal dhe më pas u arrestua. TMZ ka shpërndarë foton në momentin që Jason Alexander është ndalur nga siguria.

Alexander është ndalur nga policia, prangosur dhe është akuzuar për sjellje të ulët dhe kriminale. Ndërsa këngëtarja është mirë dhe e sigurt”, tha avokati i këngëtares. Spears dhe Alexander janë martuar më 3 janar të 2004-ës në Las Vegas dhe martesa e tyre zgjati vetëm 55 orë, pasi u anulua nga gjykata, që vërtetoi se këngëtarja nuk ishte në gjendje të kuptonte veprimet që po kryente.