Michael Schumacher, ish-piloti i Formula 1 u përfshi në një aksident të rëndë në vitin 2013. Një nga pilotët më të mirë në këtë kompeticion, teksa gjatë karrierës së tij arriti të fitojë shtatë kampionate, me titullin e parë në vitin 1994 dhe të fundit në 2004.

Për fat të keq, në vitin 2013, fill një vit pas garës së tij të fundit në Grand Prix të Brazilit, Michael Schumacher pësoi një aksident teksa ishte me pushime me familjen e tij në Alpet Franceze. Ndërsa bënte ski, ai u rrëzua dhe goditi kokën në një gur.

Menjëherë pas incidentit, Schumacher u transportua në një spital në Grenoble, ku u vendos në koma nga mjekët për gjashtë muaj, pas dy operacioneve.

Së fundmi, ish-menaxheri i Michael, Will Weber ka akuzuar familjen e gjermanit për gënjeshtra për pasojat e aksidentit në skijim.  Në një intervistë për Gazzetta dello Sport, ai u shpreh se familjarët e tij nuk i janë përgjigjur gjatë kohës që Schumacher pësoi aksidentin. “Ishte një dhimbje e madhe për mua. Unë u përpoqa qindra herë të kontaktoja gruan e tij, Corinnan, dhe ajo nuk u përgjigj. I telefonova Jean Todt për ta pyetur nëse duhet të shkoja në spital dhe ai më tha të prisja sepse është shumë herët.

Telefonova të nesërmen dhe askush nuk u përgjigj. Nuk e prisja një sjellje të tillë dhe jam ende i zemëruar për këtë. Më mbajtën jashtë, më thanë se është shumë herët, mirë tani është tepër vonë. Kanë kaluar nëntë vjet. Ndoshta ata thjesht duhet ta thonë ashtu siç është”, tha Weber, ndërsa theksoi se familja e tyre ka gënjyer.

“Fillimisht mund ta kuptoja situatën pasi gjithmonë bëja gjithçka që mundesha që Michael të mbronte jetën e tij private. Por që atëherë kemi dëgjuar vetëm gënjeshtra prej tyre. Vite pas aksidentit, i thashë vetes që të kujdesesha vetëm për familjen pasi nuk mund t’i ndryshoja gjërat. Ai ishte si një djalë për mua. Edhe sot më dhemb të flas për të”, shtoi Will Weber.