Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama feston sot ditëlindjen e tij të 61-të.

Një nga personazhet më karizmatikë dhe që qëndroi për 8 vite në krye të SHBA-ve ka marrë shumë urime sot në këtë ditë të veçantë për të.

Por sigurisht, urimet më emocionuese vijnë nga familja. E kësaj radhe, ishte partnerja e tij në jetë, Michelle Obama, ajo e cila i ka dedikuar të shoqit disa fjalë të përzgjedhura e të ëmbla.

Michelle ka publikuar në faqen e saj në Facebook një foto të ish-presidentit, kur ai ka qenë më i ri dhe i uron ditëlindjen.

Ish-zonja e parë e SHBA-ve i shpreh dashurinë publikisht ndërsa shkruan se Barack e bën gjithnjë krenare dhe jeta e saj me të përmirësohet çdo vit.

Barack dhe Michelle Obama kanë qenë dhe mbeten një nga çiftet më të dashur nga miliona njerëz në botë.

Barack ishte president i 44-t i SHBA-ve, kur u zgjodh në vitin 2009 dhe qëndroi në detyrë deri në vitin 2017. Ai ishte edhe presidenti i parë amerikano-afrikan i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.