Jeta në jetimore e Dhuratës, e cila po rrëfen gjithçka në “Ka Një Mesazh Për Ty”, nisi të ndryshonte sapo u largua kujdestarja që e dhunonte. Së bashku me vëllain, për 4 vite, Dhurata vuajti nën një tutelë dhimbjeje e terrori. Historinë e saj e kanë ditur vetëm dy mikeshat e saj të ngushta, ndërsa sot vendosi ta ndajë në programin “E diela shqiptare” në Tv Klan.

Deri në moshën 18-vjeçare, me shumë përpjekje, Dhurata mundi të qëndronte në jetimore, por më pas duhej të largohej patjetër. Zgjidhja që i erdhi ishte të qëndronte me prindërit e saj, të cilët e braktisën qëkur lindi duke e lënë në maternitet. Përgjatë viteve ata e vizitonin, por Dhurata nuk kishte kurrfarë ndjesie për njerëzit që e kishin sjellë në jetë. Megjithatë, u detyrua të shkonte në shtëpinë e tyre, thotë me një buzëqeshjeje, pas të cilës lexohet dhimbja.

Ardit Gjebrea: E thua me një lloj buzëqeshjeje. Ishte e lumtur jeta me babin?

Dhurata: Tmerr. M’u shemb bota. Nuk kishte kushtet siç isha rritur.

Ardit Gjebrea: Pra, ti ishe më mirë në atë institucion sesa në shtëpi me babin?

Dhurata: Po.

Ardit Gjebrea: Si sillej babi me ty?

Dhurata: Më dhunonte. Siç sillej me mamin, që e mbante mbyllur, më mbante dhe mua.

Ardit Gjebrea: Pra ishit të dyja të mbyllura në shtëpi?

Dhurata: Po. Saqë merrja në telefon, kam pasur telefon sepse edhe studioja kur isha te prindërit sepse s’doja të shkëpusja studimet dhe nuk i shkëputa.