Qeveria italiane vendos të investojë në prodhimin e një vaksine vendase në betejën ndaj pandemisë Covid-19, pasi shpreson se mund t’ia dalë mbanë. Për këtë arsye, do të investojë 81 milionë euro për prodhimin e vaksinës së kompanisë ReiThera.

InvItalia, përmes këtij investimi, do të blejë 30% të aksioneve të kompanisë biotech, që nga qershori mendon të jetë gati vaksinën anti-Covid “Made in Italy”. Kjo vaksinë, më pas, do të kalojë për miratim pranë instancave përkatëse.

Afati i fundit për prodhimin e vaksinës është qershori, kur ajo mund të nisë të aplikohet në popull, pasi të përfundojnë të gjitha fazat e eksperimentimit të saj (faza e parë është e mbyllur).

Kompania ReiThera shpreson që brenda këtij vitit të prodhojë 100 milionë doza. Jo vetëm kaq, por vaksina e saj mund të ruhet në një frigorifer normal shtëpie, deri në temperaturën 4 gradë.