Italia ka ndaluar përkohësisht ChatGPT dhe ka frymëzuar vendet e tjera evropiane që të studiojnë nëse nevojiten masa më të ashpra për risitë që e bëjnë më të aksesueshme Inteligjencën Artificiale. E cilësuar si “truri” i zhvillimit të ChatGPT, shefja e “OpenAI”, shqiptarja Mira Murati ka dhënë së fundmi një intervistë për “La Repubblica”.

“Ishte një surprizë, ata nuk na kishin kontaktuar më parë. Ne respektojmë ligjet evropiane për të dhënat personale, por jemi të hapur për dialog dhe shpresojmë që së shpejti të jemi në gjendje të rivendosim shërbimin në Itali”, thotë Mira Murati për median italiane.

Mes të tjerash, ajo shton se autoritetet e kanë ndaluar ChatGPT në Itali, por italianët e duan Inteligjencën Artificiale teka thotë se po punohet çdo ditë për ta bërë atë më të sigurtë dhe të saktë.

“Ne besojmë se shërbimet tona janë në përputhje me GDPR dhe ne punojmë në mënyrë aktive për të reduktuar të dhënat personale në trajnimin ChatGpt. Është e rëndësishme që këto sisteme të mësojnë konceptet që ne njohim.

Është një teknologji e re dhe në zhvillim, ne punojmë çdo ditë për ta bërë atë më të sigurt dhe më të saktë. Ne përpiqemi të jemi sa më transparentë. Ne i bëjmë të ditur të gjithëve se cilat janë rreziqet. Ne po punojmë me “Garante” që të përpiqemi ta zgjidhim këtë situatë sa më shpejt që të jetë e mundur, shpresojmë të kemi lajme të mira së shpejti. E përsëris: ne respektojmë standardet evropiane, por ne jemi të hapur për të gjetur zgjidhje që adresojnë shqetësimet.”

Nga ajo që kam lexuar kuptoj që opinioni publik në Itali është në favor të ChatGpt dhe italianët e duan Inteligjencën Artificiale. Ne nuk duam të largohemi nga Italia dhe shpresojmë të rifillojmë shërbimin së shpejti dhe se vendimi nuk do të ketë një ndikim afatgjatë.” – tha shqiptarja.