Një rekord i vërtetë. Ish-marinari, tashmë 83-vjeçar, mbërriti në Japoni të shtunën pas kalimit pa ndalesë të Paqësorit. Me këtë rast u bë personi më i vjetër që e ka arritur këtë sukses, sipas organizatorëve të udhëtimit.

Mbërritja e aventurierit japonez të detit Kenichi Horie në ngushticën Kii (Japonia perëndimore) shënoi fundin e një udhëtimi që zgjati më shumë se dy muaj në bordin e “Suntory Mermaid III”, i cili filloi në një port me varkë kënaqësie në San Francisko më 27 mars.

Ekipi i tij i marrëdhënieve me publikun tha se kthimi i Horie në Japoni të shtunën e bëri atë personin më të vjetër në botë që kaloi me sukses Oqeanin Paqësor i vetëm dhe pa ndalesë. Varka e tij me vela ishte e pajisur me panele diellore.

“Unë jam gati të kaloj vijën e finishit”, – shkroi Horie në blogun e tij të premten, pas asaj që ai e quajti një betejë 3-ditore kundër rrymave të kryqëzuara. “Jam i rraskapitur”, – tha ai.

Kjo është arritja e fundit e këtij japonezi 83-vjeçar, i cili në vitin 1962 kishte kaluar Paqësorin në moshën 23-vjeçare, duke shkelur më pas ligjin japonez, i cili ndalonte lundruesit të largoheshin nga vendi me lundrim dhe kështu të hynin ilegalisht në SHBA.

“60 vite më parë isha vazhdimisht në ankth dhe stres për ta kryer këtë aventurë, – shkroi ai në një blog në prill. – Por këtë herë ishte ndryshe, më kanë ndihmuar shumë njerëz përmes sistemeve të gjurmimit dhe radios pa tela”.

Kenichi Horie ka arritje të tjera në det, veçanërisht duke përfunduar një udhëtim 7.500 km me një varkë me pedale më 1993 dhe duke ndërmarrë një kalim në Paqësor më 2008 në bordin e një varke të bërë pjesërisht nga materiali i ricikluar dhe shtytja e së cilës ishte mbështetur në forcën lëvizëse të valëve.