Marrëdhënia mes themeluesit të ‘Amazon’, Jeff Bezos dhe presidentit të SHBA, Joe Biden, nuk po kalon momentin më të mirë. Ditët e fundit, biznesmeni dhe kreu i Shtëpisë së Bardhë kanë shkëmbyer mesazhe në rrjetin social Twitter, ku shihet mungesa e marrëveshjes mes palëve në lidhje me angazhimin e presidentit për t’i bërë kompanitë dhe njerëzit më të pasur të paguajnë më shumë taksa.

Javën e kaluar, Biden prezantoi një plan tronditës kundër inflacionit që po prek vendin. Të dhënat e fundit e vendosin këtë vlerë në 8.3%, shifra më e lartë në 40 vite. Të premten, presidenti Biden postoi në llogarinë e tij: “Doni të ulni inflacionin? Le të sigurohemi që kompanitë më të pasura të paguajnë pjesën e tyre të drejtë”.

Ky mesazh u përhap shumë shpejt në këtë platformë dhe në pak orë grumbulloi një mori përgjigjesh dhe komentesh. Mes tyre, ai i themeluesit të ‘Amazon’. Bezos akuzoi Biden se po përpiqej të mashtronte qytetarët: “Këshilli i sapokrijuar i dezinformimit duhet ta shqyrtojë këtë postim në Twitter”.

Përveç kësaj, ai vuri në dukje se qëllimi i tij për të përzier inflacionin me rritjen e taksave për kompanitë e mëdha është vetëm një shpërqendrim nga problemet që po kalojnë SHBA. Zëvendës sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Andrew Bates, ka lëshuar një deklaratë në të cilën dëshironte t’iu përgjigjej akuzave të Bezos:

“Nuk duhet shumë dinakëri për të kuptuar pse një nga njerëzit më të pasur në botë kundërshton një axhendë për klasën e mesme, që ul disa nga kostot më të mëdha me të cilat përballen familjet, lufton inflacionin dhe shton reduktimin e deficitit. Presidenti po iu kërkon taksapaguesve dhe bizneseve më të pasura të paguajnë pjesën e tyre të drejtë”.

Pavarësisht gjithçkaje, Kongresi i SHBA nuk i ka dhënë mbështetjen e nevojshme planit të presidentit Biden për të rritur taksat ndaj korporatave dhe miliarderëve. Fatura e tij e taksave dhe shpenzimeve do të duhet të rishikohet dhe ekipi negociator i Shtëpisë së Bardhë do të duhet të punojë me Senatorë dhe Përfaqësues në çdo Dhomë për ta kaluar këtë projekt.