Joan Laporta nuk ka pasur një presidencë të qetë që kur u ul sërish në fronin e Barcelonës më 7 mars 2021. Në fakt, në tri merkatot që ka jetuar në këtë fazë të dytë si president, ai i ka detyruar gjithmonë katalanasit të jenë të vëmendshëm deri në sekondën e fundit…, ose më shumë.

Merkatoja e parë e “Laporta 2” ishte në verën e vitit 2021. Barcelona e përshpejtoi afatin brutalisht. Në fakt, katalanasit duhej të rrinin zgjuar deri në orën 03:30 të mëngjesit për të ditur nëse La Liga vërtetoi nënshkrimin e Luuk de Jong.

Ishte një ditë e fundit e një çmendurie të vërtetë në zyrat e Barçës, sepse pak minuta para mbylljes së merkatos, Griezmann u largua dhe Luuk de Jong erdhi. Në fakt, tregu nuk mbaroi këtu. Katalanasit vazhduan të punonin për disa largime në vende ku lojtarët mund të nënshkruanin ende, dhe më 2 shtator 2021, Pjanic u drejtua te Besiktas.

Merkatoja e janarit nuk ishte më pak e ethshme apo e mundimshme për katalanasit. Në fakt, negociatat me Aubameyang u prishën dhe më pas gjithçka u kthye në rrugën e duhur. Imazhi i sulmuesit duke u larguar nga zyrat e Barcelonës duke buzëqeshur pas mesnate, pasi u shkëput nga Arsenali, është tashmë pjesë e historisë “culé”.

“Ai ka nënshkruar në minutën e fundit para mbylljes së kësaj periudhe transferimi”, – sqaroi menaxheri i gabonezit. Në fakt, sulmuesi firmosi për Barçën dy ditë pas mbylljes së merkatos, sepse kishte letrën e daljes lojtar i lirë. Përveç kësaj, atë 31 janar, në orën 19:00, Barcelona njoftoi edhe transferimin e Iñaki Peña te Galatasaray.

Edhe kjo verë është rrugës për të përsëritur historinë. Klubi ka ende shumë operacione në tavolinë, kur kanë mbetur vetëm orë për t’u “ulur qepenat”. Pra, ka më shumë gjasa që, edhe një herë, Joan Laporta dhe të gjithë tifozët e Barcelonës duhet të jenë vigjilentë deri në orët e vona të natës për të zbuluar nëse La Liga jep O.K. për disa lëvizje. Avokati katalanas është abonuar për të jetuar në limite me këtë presidencë dhe jo vetëm për nënshkrimet…