Jo vetëm në Shqipëri, por Big Brother Albania VIP do të nisë së shpejti edhe në Kosovë edicionin e tij të parë. Ky program po pritet me shumë entuziazëm nga të gjithë shqiptarët, teksa janë konfirmuar tashmë edhe dy prezantuesit e këtij programi në Kosovë. Alaudin Hamiti dhe Jonida Vokshi do të jenë dy moderatorët e këtij reality shoë që pritet të nisë së shpejti.

Moderatorja shqiptare që do të prezantojë krah Alaudinit, Big Brother VIP Kosova, Jonida Vokshi, ishte e ftuar pasditen e sotme në emisionin ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçin. Ajo foli për përgatitjet që po bëhen në pritje të këtij formati, teksa foli edhe për emrat që po lakohen për të qenë pjesë e këtij edicioni, si edhe rivalitetin e diskutuar në rrjet mes formatit në Kosovë dhe atij në Shqipëri.

Gjithashtu, ajo pranoi se në tregun e medias, këto dy formate janë konkurrente. Jonida u shpreh falënderuese dhe tregoi se ndjen mbështetje nga kolegët e saj në Kosovë. Ajo foli edhe për urimin publik që mori nga moderatorja tjetër e njohur shqiptare, Arbana Osmani, duke treguar se ishte ndjerë mjaft e lumtur.

“Jo vetëm për urimin e Arbanës, por për urimin e çdo kolegeje time, mund ta kishin bërë në privat. Sigurisht nuk do të mërzitesha nëse s’do më uronte, por sigurisht që mu bë qejfi që e bëri – tha Jonida Vokshi për emisionin ‘Abc e Pasdites’, ndërsa foli edhe për emrat që do të jenë pjesë e shtëpisë, që pritet të bëhet shtëpia më e famshme në Kosovë. Gjithashtu, ajo konfirmoi edhe se Elvana Gjata nuk do të jetë konkurrente këtë sezon.

“Emra nuk zbulojmë dot, por harta është shumë e larmishme për faktin se ka shqiptar nga Shqipëria, shqiptar nga Kosova, shqiptar nga diaspora. Është shumë e gjerë, është jashtëzakonisht e larmishme nga kudo ka shqiptar dhe janë personazhe që kanë shumë për të dhënë aty brenda. Nuk do të jetë Elvana, këtë të paktën e konfirmojmë. Bukur do ishte por jo” – përfundoi Jonida Vokshi.