Fjalët ia lënë vendin fushës, më në fund. Juventusi dhe Napoli do të luajnë trofeun e parë të sezonit, Superkupën Italiane, e cila është gjithashtu përballja e parë antagoniste e sezonit midis dy ekipeve. Kjo për shkak të “helmit” të gjeneruar pas 4 tetorit, dita e mosmarrëveshjes për ndeshjen e javës së tretë të Serie A.

Është pikërisht ai 4 tetor, kur napolitanët nuk u paraqiten në “Allianz Stadium”, pasi morën komunikimin nga ASL dhe konfirmuan pozitivitetin e Zielinski dhe Elmas, pas sfidës me Genoa (ku dolën me Covid-19 mbi dhjetë lojtarë).

Nga ana tjetër, Juventusi doli në fushë, pasi përsëriti synimin e tij për të respektuar angazhimin. Edhe “League Serie A” konfirmoi këtë gjë, por ndeshja nuk u luajt për shkak se blutë nuk udhëtuan drejt Torinos.

Dhjetë ditë më vonë erdhi vendimi i Gjykatësit Sportiv: 3-0 në tavolinë për Juventusin dhe heqje e një pike nga klasifikimi Napolit. Klubi i kryesuar nga Aurelio De Laurentiis njoftoi ankesën në Gjykatën Federale të Apelit, e refuzuar më 10 nëntor.

Shpresat blu për të qenë të drejtë në gjykatë i janë besuar Kolegjit të Garancisë së CONI, i cili, më 22 dhjetor, vendosi anulimin e dy vendimeve të para. Pra, zhbëri humbjen 3-0 në tavolinë të Napolit, duke urdhëruar që sfida të luhet.

Data e rikuperimit të kësaj përballjeje nuk dihet ende, por, tani për tani, duhet të jemi të kënaqur me një finale të Superkupës Italiane, që premton të jetë me shkëlqim. Nga njëra anë Juventusi, i goditur mu në zemër nga Interi në derbin Italian. Nga ana tjetër Napoli i rigjeneruar prej goleadës së fundit kundër Fiorentinës.

Pirlo thotë se ambiciet nuk ndryshojnë. Në dritën e këtyre rezultateve, napolitanët duket se i qasen sfidës me një gjendje shpirtërore më të mirë, me shpresën se rezultati do të jetë i njëjtë me atë të 17 qershorit 2020, kur penalltia vendosi fatin  e Kupës së Italisë, duke i buzëqeshur Insigne me shokë.

Juventusi, nga ana e tij, ka mundësinë të kthehet dhe të rifitojë besimin në funksion të vazhdimit të një sezoni ndërlidhës, i karakterizuar nga ulje të shpeshta në kampionat dhe suksese në grupin e Ligës së Kampionëve, edhe kundër Barcelonës.

Çfarëdo që të ndodhë, dëshira e spektatorëve neutralë është e qartë: të jenë në gjendje të shijojnë një shfaqje të shkëlqyeshme në “Mapei Stadium”, në atë që të paktën, duke gjykuar nga rezultatet e sezonit të kaluar, është më e mira që mund të ofrojë futbolli italian. Polemikat, për një herë, më mirë i lini mënjanë…

Ja formacionet e mundshme:
JUVENTUS (4-4-2): Szczesny; Danilo, Bonucci, Chiellini, Bernardeschi; Chiesa, Arthur, Bentancur, McKennie; Kulusevski, Ronaldo.
NAPOLI (4-2-3-1): Ospina; Di Lorenzo, Manolas, Koulibaly, Mario Rui; Demme, Bakayoko; Lozano, Zielinski, Insigne; Petagna.