Pas disfatës së tmerrshme kundër Interit, diçka duhet të ketë ndryshuar në mendjen e Andrea Pirlos. Në “San Siro”, Juventus ishte shumë i keq për të qenë i vërtetë, prandaj disa retushime ishin më të nevojshme se kurrë. Retushimi, në të vërtetë, megjithëse i vogël dhe pothuajse i padukshëm, ndodhi: kthimi i Arthur në pozicionin e tij natyror, atë të mesfushorit, duke i besuar Bentancur detyrat e “playmaker”-it në fazën e ndërtimit, në modulin 3-5-2.

Rezultatet erdhën, duke filluar me Superkupën e Italisë, një ngjarje që shënoi pikën e kthesës për brazilianin, i cili më pas shënoi dje për avantazhin e Juventusit kundër Bologna. Për të konfirmuar tezën, të dhënat që pothuajse nuk gënjejnë, vijnë në ndihmë: Arthur, më mirë se McKennie dhe Cuadrado së bashku për mundësitë e krijuara (3), udhëheqës në të njëjtin nivel me Ronaldon për sa i përket pasimeve të bëra në gjysmën e fushës së kundërshtarit (31). Me pak fjalë, boshti i lojës së Juventusit.

Në fund të ndeshjes, ish-lojtari i Barcelonës pranoi se ishte më i qetë në pozicionin e brendshëm, siç ishte mësuar në Spanjë: “Unë kam pasur një përballje idesh me Pirlon dhe, gjithashtu, sipas tij, mund të bëj më mirë në këtë pozicion. Padyshim, nëse ndonjë nga shokët e mi mungon, mund të luaj në ndonjë rol tjetër, nuk ka asnjë problem, sepse jam në dispozicion të trajnerit. Unë i thashë atij, megjithatë, që si mesfushor ndihem i qetë, pasi kam luajtur në atë rol te Barcelona”.

Vetë Pirlo konfirmoi përballjen që kishte pasur me lojtarin e tij: “Po, kemi biseduar dhe ai preferon të luajë më i avancuar, duke i lënë detyra mbrojtëse një mesfushori tjetër. Duhet të them se e bën mirë këtë rol, sepse çdo herë që ne ndërtojmë, ai është në vendin e duhur. Ka një vizion të shkëlqyeshëm dhe na lejon të dalim me disa lojtarë përpara”.

Duke marrë parasysh që Pirlo me siguri do të kryejë ndonjë rotacion kundër SPAL, ne duhet ta shohim Arthur përsëri si mesfushor kundër Sampdoria, në kampionat. Sepse, nëse dy të dhëna mund të jenë rastësi, tri bëjnë një provë.