Momenti është shumë kritik për Juventus-in. Humbja e pësuar në kampionat kundër Milan-it, ajo e tmerrshme në Champions League kundër Maçabi Haifa dhe tani vjen derbi me Torino-n ku do të duhet patjetër një përgjigje në fushë.

Ai që rrezikon më shumë është trajneri Massimiliano Allegri, i cili ka një lloj “besimi me afat” pavarësisht se është konfirmuar nga presidenti Agnelli pas disfatës në Europë.

Siç ka shpjeguar Sportmediaset, në fakt, grumbullimi i detyruar i skuadrës deri në ndeshjen kundër Torino-s është vetëm hapi i parë i një periudhe “vëzhgimi” që mund të vendosë fatin e trajnerit.

Allegri mund të shkarkohet nga Juventus në ndeshjet e ardhshme dhe më saktësisht në një hark kohor të përcaktuar mirë. Trajneri ka tetë ndeshje për të merituar qëndrimin. Bëhet fjalë për ndeshjet nga tani e deri para ndërprerjes së kampionateve për Kupën e Botës.

Trajneri toskan do të duhet të tregojë se e ka akoma kontrollin ndaj skuadrës dhe se mund të arrijë të sigurojë një vend të katërt në kampionat që, për momentin, është objektivi minimal i sezonit të bardhezinjve.

Torino, Empoli, Benfica, Leçe, Paris Saint-Germain, Inter, Verona dhe Lazio janë ndeshjet që Juventus-i i Allegri-t nuk duhet të gabojë. Në rast të kundërt mund të ketë një ndryshim në stol.