Një jetë futbolli e kaluar nëpër botë, mes Brazilit, Evropës, Gjirit Persik dhe Japonisë. Megjithatë, koha e duhur për ta gjetur veten në radhët e Selecão ndodhi më 2002. Ishte edicioni që dërgoi në vendin e Sambës të fundit Kupë Bote, të nënshkruar nga Ronaldo.

Edhe pse karriera e tij nuk ishte e paharrueshme, Edilson mund të mburret gjithmonë me atë titull, që jo shumë mund të thonë se e kanë fituar. Mund të jetë edhe për këtë arsye që ish-futbollisti (ndër të tjerë) i Flamengo dhe Benfica u ndje i detyruar të thoshte fjalën e tij për ata që janë protagonistët absolutë të futbollit të viteve të fundit: Leo Messi, Cristiano Ronaldo dhe Neymar.

Pak kohë më parë braziliani, i cili luajti katër ndeshje në atë Kampionat Botëror dhe ishte shok ekipi i “Fenomenit”, por edhe i Rivaldos e Ronaldinhos, ka bërë disa deklarata për “Infobae”. Mjaft për të sulmuar ata që kanë dështuar dy herë në Kampionatin Botëror me fanellën e Selecão… “Kur isha në top formë luaja më mirë se Neymar. Dhe për të qenë më i mirë se unë, Neymar duhet të fitojë një Kampionat Botëror. Kam më shumë personalitet se ai”.

Patjetër, duke pasur parasysh që edhe Edilson është në garë me Messin. Madje edhe kur vetëkrahasohet me “Pulce”, ai mund të mburret me “palmaresin” më të mirë ndërkombëtar: “Edhe ai duhet të fitojë Kampionatin Botëror për të qenë në lartësinë time”.

Me pak fjalë, vetëbesimi sigurisht që nuk i mungon ish-futbollistit të datëlindjes 1971, i cili i ka “varur këpucët në gozhdë” në dhjetë vitet e fundit. E duke qenë se është aty, Edilson sigurisht që nuk mund ta harrojë “alienin” tjetër të futbollit botëror, Cristiano Ronaldon.

Nisur nga modeli, është e kotë të presësh lëvdata për portugezin. Dhe në fakt, ka diçka edhe për të: “Ai është një lojtar force, tërhiqet vazhdimisht nga të gjitha pozicionet. Unë jam më i fortë se Cristiano Ronaldo”.

Ndoshta ka të drejtë…, por shumica e “Topave të Artë” të dhënë në 13 vitet e fundit do të kishin diçka për të mos u pajtuar. Megjithatë, kjo është bukuria e futbollit. Secili ka mendimin e vet, sado absurd të jetë. Kush e di se njëri nga këta të tre në Katar nuk do ta fitojë Kampionatin Botëror. Në atë pikë, çfarë do të thoshte Edilson?