Mjeku infeksionist, Tritan Kalo, nuk fshihet, ai flet drejtpërdrejt, nuk kursen politikën e të dy krahëve. Edhe sot, përmes një postimi në rrjetet sociale, njeriu që po përballet përditë në vijën e parë me Covid-19 te Spitali Infektiv, sqaron qytetarët se Komiteti i Ekspertëve nuk ka rol vendimmarrës, sa i takon lehtësimit apo shtrëngimit të masave, pasi kjo është në dorën e qeverisë.

Në statusin e tij të gjatë, Kalo komenton edhe deklaratat e kolegëve të tij, që punojnë jashtë vendit, për të cilët thotë se i kanë braktisur shqiptarët e tashmë japin mendime në ajër.

Ja postimi i plotë i Kalos:

Kohë Kovidiane…. 27.02.2021….Prag Marsi dhe fillim PRANVERE….Dielli dhe ngrohtësia e kësaj stine uroj dhe shpresoj të ndrijë dhe të ngrohë mendjen dhe zemrën e gjithkujt nga NE…. OPTIMIZMI dhe PËRPJEKJET për JETËN duhet të prevalojnë mbi jetëlëndimin dhe jetëmarrjen e shkaktuar nga infeksioni i “flamës” nga Sars-Cov2/Covid-19….

KURRË nuk mundet të shuhet DRITA në fundin e tunelit të përpjekjeve tona në përballjen me PANDEMINË…. Njerëzimi ka kaluar ndër shekujt e ekzistencës së tij shumë e shumë syresh të tillë, por në fund të fundit ka ngadhnjyer dhe u ka mbijetuar atyre…. Kolegë, miq, dashamirës dhe bashkëqytetar të Trojeve Arbërore: bëni kujdes, luftoni për jetën tuaj dhe të gjithë atyre të cilët gjallojnë pranë jush…..

MOS bini në grackën e TOLLOVITJEVE, që POLITIQENËT ju ofrojnë përditë në ekranet televizive, në shtypin e shkruar apo në rrjetet sociale… Kanë mbi 30 vite që na kanë lënë në harresë si popull, për të ndarë mes vedit pasuritë e pafundme të këtij vendi…. KURRË mos mendoni se “ish-brekëgrisurit” e djeshëm, u fisnikëruan pas zgjedhjeve të para pluraliste të 31 Marsit 1991, KURRË….

Demokracia në teori, por edhe në praktikë na ka ofruar një mjet për të ndryshuar të ardhmen tonë, VOTËN…. MOS bini pre e atyre, të cilët për interesat e tyre meskine i ndërrojnë Partitë sikundër i ndërrojnë edhe “dashnoret” e tyre…. ATA/ATO “grinden” qëllimisht në mes të ditës mes vedit për të na hedhur hi syve për aferat okulte mes tyre gjatë natës…. NE, “il poppolo Albanese”, vetëm varfërohemi dhe marrim udhën e theqafjes së emigrimit, ndërkohë që ata shtojnë për çdo minutë pasuritë e tundshme dhe të patundëshme….

NA TALLIN me vilat e tyre milionëshe kudo, me vanitetin e veshjeve dhe të sjelljeve të tyre pseudo-aristokratike, me parfumet e tyre erëspikatëse, për të mbuluar “zhulin” e tyre mendor dhe shpirtëror…. Na tallin me “altruizmin” e tyre parazgjedhor ndaj halleve tona, KUR këto halle u krijuan në këto 30 vite pikërisht prej tyre… MOS e lini mbrothësimin e jetëve tuaja në duart e “burokratëve diplomatikë”, të këtyre përfaqësues të pseudo-botës demokratike dhe të qytetëruar, sepse ”Berri varet nga këmbët e veta”….

UNË pak besoj dhe shpresoj se ata/ato, të cilët na i sollën këto kohëra të padëshirueshme, do të ndryshojnë sjelljen e tyre politike, KURRË…. I PANGINJURI mendërisht, kulturalisht dhe materialisht, genetikisht ndër breza, mbetet i panginjur më së paku për shtatë breza…. Kohët kovidiane DUHET të na afrojnë dhe jo të na largojnë nga njëri-tjetri…. Jo më kot nga lashtësia na vjen mesazhi: “Përça dhe sundo!”…. Largoni nga mendja tuaj edhe kontributin jo dobiprurës të militantëve e servilëve partiakë….

Gjithologët dhe anal-istët në çdo fushë të jetës sonë i shërbejnë me përparësi interesave të tyre dhe jo interesave tona… Ndjej keqardhje për këdo që qëllimtazi konfondon rolin real të Komitetit të Ekspertëve në menaxhimin e Pandemisë së Sars-Cov2/Covid-19…. KY Komitet ka ROL vetëm këshillimor për mundësinë e mirë-menaxhimit të kësaj “flame mbarëbotërore”…. Kontributi i gjithkujt në të, përfshirë edhe mua, bëhet mbi baza vullnetare….

Nuk vendoset asgjë nga ky Komitet, vetëm bëhen sugjerime… QËLLIMTAZI luhet me termin “Komiteti i ekspertëve vendosi”…. Komiteti NUK është një organizëm ekzekutiv, një Qeveri e dytë. Dhe pas këtij termi fshihet si Qeverija, po ashtu edhe ata/ato, që në vend të japin kontributin e tyre direkt me ne mjekët, infermierët, sanitaret, imazhëristët, farmacistët e “vijës së parë” dhe mjekëve të familjes e personelit të shërbimit ambulator, në mbarëvajtjen e Pandemisë dhe në luftën për jetëshpëtimin e atyre të prekurve nga infeksioni Sars-Cov2/Covid-19, QËLLIMTAZI bëjnë atë që nuk duhet të bëjnë apo thonë… Bashkimi mes vedit duhet të pravalojë dhe jo të pravlojnë nteresat mediokre karrieriste apo militanteske….

Njëkohësisht, nuk e mirëkuptoj rolin “pedagogjik” të kolegëve, të cilët për t’i mundësuar vetes dhe familjeve të tyre një jetë më të mbrothtë, iu larguan detyrimeve morale dhe profesionale ndaj vendit… Kemi mbetur me më pak mjekë për 1000 banorë në Europë dhe më gjerë…

NËSE e keni të pamundur të vini dhe të kontribuoni në përballjen e kësaj pandemie në Shqipëri, më së paku mos gjykoni apo pengoni punën tonë…. NUK shoh ndonjë shembull të thuktë frymëzues, që të na vijë nga vendet ku ju frymoni dhe kontribuoni profesionalisht… Heshtja në këto raste është flori mirësjelljeje, deontologjie dhe profesionalizmi… Mirëkuptimi dhe Mirëbesimi mes nesh KURRË nuk duhet të mungojë… TOGETHER FOREVER!!!