Ajo ishte një nga banoret më simpatike brenda shtëpisë së Big Brother VIP. Beniada Nishani, modelja e njohur shqiptare njihet për karakterin e saj dhe ëmbëlsinë që e karakterizon. Ajo u bë më shumë e njohur për publikun nga pjesemarrja e saj në reality show-n e famshëm shqiptar, ndërsa së fundmi vendosi të tregojë disa detaje që nuk i dinim më parë rreth jetës së saj private.

E ftuar në emisionin “Wake Up” në Top Channel, Beniada ka rrëfyer për herë të parë se ka punuar si kamariere në Itali në moshën 15 vjeçare, ndërsa e ëma e saj pastronte shtëpitë e italianëve.

Ajo shprehet se njerëzit nuk duhet të kenë turp nga puna, pavarësisht llojit dhe duhet të mësojnë ta vlerësojnë veten për atë që kanë bërë në të kaluarën.

“Isha 15 vjeçe dhe kemi qenë në fillimet tona në Itali. Mami punonte në një dyqan mishi dhe natën kur mbyllej dyqani unë shkoja e ndihmoja për ta pastruar. Madje ka qenë dhe një rast që kam ngelur brenda në frigorifer. Por kam punuar dhe punë të tjera, si kamariere, kasiere. Më ka pëlqyer shumë që të flisja me njerëzit. Nuk duhet të kemi fare turp për punën tonë të parë, madje duhet të jetë një vlerësim. Në fillimet tona në Itali kemi qenë pa dokumente, e kishim shumë të vështirë. Kur unë isha e vogël mami më thoshte që të tregoja dhe shumë kujdes se po të vritesha nuk shkonim dot në spital. Mami im ka qenë 24-25 vjeçe dhe punonte duke pastruar shtëpitë e italianëve. Kur unë i kërkoja një kukull më thoshte që nuk ta blej dot tani por do presësh edhe pak. Mendoj që është shumë bukur që të fitosh lekun tënd dhe të mos i biesh në qafë prindërve”, – u shpreh Beniada.

Modelja fitoi zemrat e publikut dhe arriti të shkojë deri në finalen e madhe të Big Brother-it, por u eliminua e para nga banoret finaliste. E megjithatë, ajo gëzon respektin e të gjithëve për thjeshtësinë e saj. Tashmë edhe tonën!