Zërat mbi një lamtumirë të mundshme të Leo Messi-t nga Barcelona kanë ndezur ëndrrat e shumë klubeve. Nga Manchester City tek Inter-i, duke kaluar nga skuadrat e MLS-së dhe jo vetëm.

Një nga ata që ka dashur ta shikojë në Itali, por me fanellën e Juventus-it, ka qenë Paulo Futre, ish-lojtar legjendar i Atletico Madrid.

Në një intervistë të dhënë për Mundo Deportivo-n, portugezi ka zbuluar se dëshira e tij ishte ta shihte Pleshtin të luante me Cristiano Ronaldo-n.

“Si tifoz i futbollit, kur kam mësuar për qëllimin e Messi-t që të largohej nga Barcelona, kam menduar: ‘Do të doja që të shkonte tek Juventus me Cristiano Ronaldo-n për t’i parë bashkë'”, ka pranuar Futre.

“Janë dy jashtëtokësorë krejtësisht të ndryshëm, por janë mes më të mirëve të historisë. Nga njëra anë duhet të them se më pëlqen Messi, por nga tjetra Cristiano është një bashkëkombës i imi, është një kafshë, një fenomen dhe do të ishte e padrejtë për mua të zgjidhja kush është më i miri”.