Për pilotin gjerman Sebastian Vettel kanë mbetur edhe katër gara nga mbyllja e karrierës së tij në Formula 1. Fituesi i katër titujve kampionë do të tërhiqet nga sporti në fund të këtij sezoni. Në një intervistë për mediat, ai ka rrëfyer atë që e pret pasi të lërë sportin.

E dua ende këtë sport dhe të garoj. Vendimi për t’u tërhequr ishte i vështirë dhe mu desh ca kohë për të vendosur. E di se sa mund duhet për të bërë këtë sport, ndaj mendoj se është momenti i duhur për të bërë diçka tjetër në të ardhmen”, tha Sebastian Vettel, që aktualisht garon me Aston Martin.

Me shumë gjasa, do të vijë një moment kur askush nuk do të kujtohet më për mua. Asgjë nuk zgjat përgjithnjë. Janë njerëzit ata që do të vendosin nëse do të më kujtojnë apo jo. Për mua s’ka rëndësi nëse më kujtojnë për mirë apo për keq. Nga ky sport kam mësuar shumë leksione”, tha Vettel.