Merkatoja e rekordeve. Premier League nuk ka kursyer asnjë shpenzim për ta rinovuar pamjen e vet, duke thyer murin prej 2 miliardë eurosh investime që asnjë sesion i tregut të transferimeve në histori nuk e kishte rrëzuar ndonjëherë.
Merita në fillim shkon për Chelsea, “mbretin” e merkatos europiane me 315 milionë shpenzime, rekord historik për një sesion të vetëm (Blutë do të kishin dashur të shpenzonin më shumë). Të gjitha skuadrat kanë kontribuar, nga kampioni në fuqi, City, që duket se tashmë ka goditur në shenjë me Haaland (e mori për 60 milionë te Dortmundi), te mbi 260 milionët e shpenzuara nga Manchester United, që mbajti Ronaldon, e deri tek i fundit i të sapograduarve në elitë, Nottingham Forest. Ky klub debutues e mbylli merkaton e verës me 21 nënshkrime të reja.
I MADHI – Chelsea, që mbrëmë huazoi edhe Zakaria nga Juventusi, e mbylli merkaton me 6 përforcime. City dhe Liverpool kanë investuar shuma të konsiderueshme për sulmuesit. Guardiola i dha vetes Haaland, Klopp shpenzoi pak më pak se 100 milionë (përfshirë bonuset) për Darwin Nunez.
Mori Arthur nga Juve përmes një marrëveshjeje të minutës së fundit për të kompensuar lëndimet në qendër të fushës. Tottenham luajti paraprakisht, duke mbyllur goditjet më të rëndësishme (duke filluar me Richarlison, marrë për 70 milionë nga Everton) në korrik.
Arsenali tashmë e di se ka goditur në shenjë me Gabriel Jesus (52 milionë te City) dhe Zinchenko, një pjesë integrale e transformimit që lejoi “Topçinjtë” ta nisin kampionatin e ri me 5 fitore në 5 ndeshje radhazi.
Chelsea dhe United kishin nevojë për një ndryshim, por nëse blutë vepruan me vonesë për shkak të ndryshimit të pronësisë, “Djajtë e Kuq” kanë paguar për kaosin që i dallon nga lamtumira e Fergusonit. Antony, me 100 milionë euro, blerja më e shtrenjtë e verës angleze, mund të merrej nga mesi i korrikut.
Casemiro, 82 milionëshi i ardhur nga Reali, u konsiderua vetëm kur nuk u arrit De Jong. Nga ana tjetër, Chelsea kishte një strategji të qartë, pasi filloi me Sterling. Kishte nevojë për mbrojtës, mbërriti Koulibaly (40 milionë nag Napoli) dhe Wesley Fofana, i cili për një kohë të gjatë rrezikoi të bëhej mbrojtësi më i paguar në histori, me Leicesterin më në fund të kënaqur me 82 milionë.
Blutë lanë të kuptohej se nuk kursyen asnjë shpenzim përsa i përket Cucurella, të marrë nga Brighton për 73 milionë. Ditën e fundit ata kompletuan ekipin me Aubameyang, më pas u përpoqën të përforconin mesfushën me Zakaria.
TË TJERËT – Nuk janë vetëm emrat e mëdhenj që i kanë çuar shpenzimet e Premier League mbi 2 miliardë euro. West Ham ka punuar shumë: Paquetá për 60 milionë, pagesa më e lartë në historinë e tij, Scamacca për 42 milionë, Emerson për 20 milionë. Newcastle për të marrë Isak nga Real Sociedad e ngriti rekordin e tij në 73 milionë. Gjithashtu, skuadra larg majës si Wolverhampton dhe Nottingham Forest mund të kalojnë lehtësisht 100 milionë euro në investime.
Merkatoja e kësaj vere në Premier League u mbyll me zbarkimin e Antony te Manchester United dhe Zakaria te Chelsea. Një treg transferimesh që konfirmoi fuqinë e tepruar të Premier League ndaj pjesës tjetër të botës.
Në Angli edhe klubet që po luftojnë për mbijetesën mund të përballojnë investime në merkato që emrat e mëdhenj të ligave të tjera as nuk i marrin parasysh. Nëse Forest i sapo promovuar mund të shpenzojë në nivelin e Barçës dhe Realit, është e qartë se biznesi i futbollit graviton gjithnjë e më shumë rreth Premier League.