Kjo javë nuk ka nisur shumë mirë për monedhën europiane dhe atë amerikane, ku vërehet sërish një rënie sa i përket këmbimit të tyre me lekun shqiptar.

Dollari amerikan ka pësuar një ulje të pazakonshme këtë fillim jave, duke u këmbyer me 0,67 lekë më pak se ditën e premte. Sipas të dhënave të nxjerra nga Banka e Shqipërisë, një dollar këmbehej me 114,46 lekë ditën e premte, ndërsa këtë të hënë një dollar u këmbye me 113,79 lekë.

Situata nuk paraqitet e mirë as për monedhën europiane, që duket se nuk shkon më shumë se 117 lekë, teksa këto ditë 1 euro është këmbyer me 116-117 lekë maksimumi. Sa i përket kësaj të hëne, një euro u këmbye me 116.7 lekë, 0.08 lekë më pak se të premten.

Ndërsa sa i përket monedhës britanike, paundi ka pasur një rritje kundrejt monedhës shqiptare, ku ditën e sotme 1 paund u këmbye me 0.22 lekë më shumë se të premten, 139,28 lekë.

Rënia e euros dhe dollarit ka të bëjë edhe me mbërritjen e shumë turistëve në vendin tonë dhe me gjasa ky muaj do të vazhdojë të sjellë një ulje të këtyre monedhave.