Trajneri i Milan-it, Stefano Pioli, ka komentuar fitoren e madhe të marrë në derbin kundër Inter-it në javën e pestë të kampionatit.

“Ishte një ndeshje e rëndësishme, një përballje direkte me një rivalitet akoma më të madh sepse tani kundërshtarët duan të tregojnë akoma më shumë se janë më superiorë. Skuadra më ka pëlqyer shumë për 70 minuta, më pas jemi tërhequr pak”, ka thënë Pioli për DAZN.

“Punoj me lojtarë që vazhdojnë të më befasojnë për dëshirën, aftësinë dhe përkushtimin për t’u përmirësuar. Jam një trajner i lumtur”.

Milan-i, gati për Champions-in? “Jam i sigurt se jemi përmirësuar shumë, kemi kuptuar se në Champions duhen paraqitje të nivelit të lartë”, ka vazhduar Pioli.

Protagonisti i madh i derbit ka qenë Leao, autor i një dygolëshi: “Rafa ka talent është një djalë shumë i zgjuar. Të rinjve iu duhet dhënë koha për t’u rritur, liria për të gabuar”.

Për Maignan: “Nuk më befason më, si lojtar dhe si njeri: është i jashtëzakonshëm. Kemi shumë lojtarë të nivelit të lartë, nëse jemi të fortë është meritë e të gjithëve”.