Ana Jennifer është një këngëtare shqiptare, e cila e ndan karrierën e saj mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, ku jeton prej 15 vitesh. Tashmë, ajo ka ardhur në Shqipëri, ku do të zhvillojë disa projekte të reja, ndërsa ka plane të bashkëpunojë me këngëtarë të ndryshëm nga Kosova dhe Shqipëria.

Së fundmi, ajo ishte e ftuar në emisionin ‘Jeto me Orën’, në RTV Ora me Ana Kallakun, ku foli për karrierën e saj, si e nisi muzikën, si edhe projektet që ka për të ardhmen në këtë fushë. Teksa fliste për periudhën kur e nisi muzikën, ajo tregoi se ka qenë shumë e vështirë, për shkak se prindërit e saj ishin fanatikë, e kryesisht i ati, i cili edhe e ka rrahur dhe kjo vinte për shkak të mentalitetit.

‘Ka qenë batica-zbativa sepse ka qenë edhe koha pak e vështirë atëherë. E kam cituar edhe në intervistat e tjera, prindërit kanë qenë fanatikë, më tepër babi, sa edhe jam rrahur, për të vazhduar muzikën. Por, ia kam arritur. Te mami kam qenë ok, kurse babi, me thënë të drejtën, në atë kohë flasim sepse nuk ishte kaq e hapur dhe për shkak të mentalitetit të dobët. Edhe sot nuk e pranon pjesën e muzikës‘ – tregon Anna Jennifer në emisionin ‘Jeto me Orën‘.

Ndërkaq, ajo theksoi se paragjykimet vijojnë ende, por tashmë ka vendosur të kthehet në Shqipëri dhe të marrë sërish vëmendjen e publikut dhe të krijojë emrin që e ka humbur asokohe. Sa i përket familjes së saj, ajo tregon se mbështetja e tyre vazhdon akoma mos të jetë e plotë, por ajo nuk ka hequr dorë pasi muzika për të është adhurim.