Një pikturë e zhdukur e Pablo Picasso-s është gjendur në shtëpinë e  familjes së Imelda Marcos, ish-zonjë e parë e Filipineve dhe sot mamaja e presidentit të sapozgjedhur Ferdinand Marcos Jr., i quajtur BongBong.

Piktura, “Grua e shtrirë IV” është shfaqur gjatë festimeve për fitoren e Marcos: sipas Andy Bautista, ish-drejtues i një skuadre që kishte për detyrë të gjente thesaret e diktatorit Marcos (babai i BongBong dhe burri i Imelda-s), bëhet fjalë për pikturën origjinale.

“Kjo pikturë vlen rreth 146 milionë euro. Nuk e dimë cilësinë e kësaj pikture, por Picasso është një mjeshtër i pikturës dhe bëhet fjalë për një vepër shumë të çmuar. Shpresoj që të analizohet kjo çështje nga zyra e prokurorit të përgjithshëm”, ka thënë ai.

Në të vërtetë, familja Marcos e zotëronte pikturën dikur, siç është treguar edhe në një dokumentar. Megjithatë, kur PCGG, agjenci qeverita e krijuar posaçërisht për të rikuperuar miliardat e vjedhura nga familja, ka hyrë në pronat e ndryshme, piktura nuk është gjetur.

Imelda, burri dhe fëmijët kanë kaluar dhjetëra vite në azil politik në Hauai pasi revolucioni ka përmbysur regjimin dhe i ka detyruar të arratisen nga Filipinet.

Ferdinand Marcos Jr është zgjedhur kohët e fundit president i vendit dhe ka premtuar se do të jetë lideri i të gjithë filipinasve: “Më gjykoni për veprimet e mia, jo për ato të paraardhësve të mi.