Khabib Nurmagomedov, ish-kampioni i botës në peshën e lehtë, ka thumbuar ashpër ish-rivalin e tij Tony Ferguson. Dueli mes tyre është organizuar 5 herë nga UFC dhe po 5 herë është anulluar për arsye të ndryshme.

Khabib, i pamposhtur në karrierën e tij, mendon se koha e Ferguson, që ka humbur 5 duelet e fundit, ka përfunduar. Ndaj, për rusin ky është fundi për “El Cucuy”, që duhet të tërhiqet nga kafazi një herë e përgjithnjë.

Koha e tij ka mbaruar dhe nuk ka asnjë mënyrë për ta rikthyer atë”, tha Nurmagomedov për UFC Rusia. “As unë nuk e kthej dot pas kohën për të, as ai vetë. Askush. Ne kishim kohën tonë dhe ajo kaloi”, u shpreh kampioni rus i arteve marciale mikse.

Ai vazhdon të luftojë, pasi ka nevojë për parà. I duhet të paguajë faturat dhe jam i sigurt se me qenë se ai është kalifornian, nuk i mjaftojnë të ardhurat. Unë mendoj se ai vazhdon të luftojë për parà për të paguar faturat, taksat. Tony ka një familje, ka dy fëmijë. Nuk e fajësoj, por nuk mund ta kthesh kohën pas. Kur koha ikën, askush nuk pyet më për emrin tënd”, tha Khabib.