Khaby Lame mori nënshtetësinë italiane. “Betohem t’i jem besnik Republikës dhe të respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Shtetit”, tha tiktokeri më i ndjekur në botë në sallat e Bashkisë të Chivasso-s.

I lindur në Dakar dhe mbërritur në Itali kur ishte vetëm një vjeç, ai arriti popullaritet falë rrjetit social, në të cilin ka plot 142.4 milionë ndjekës.

“Nuk është e drejtë që një person që jeton dhe rritet me kulturën italiane për kaq shumë vite dhe është i pastër, të mos ketë ende të drejtën e qytetarisë sot. Dhe nuk po flas vetëm për veten time”, tha Khaby në një intervistë para pak kohësh kur nënshtetësia e tij ishte në dyshim.

“Gjithmonë italian” – Dhe sot Khaby bëri betimin para ofiqarit të Chivasso-s, komunës ku u rrit. Mori si dhuratë një kopje të Kushtetutës dhe një stemë të qytetit.

“Jam shumë krenar. Jam ndjerë italian edhe para ditës së sotme sepse jam rritur këtu. Por ndjej një përgjegjësi të madhe për betimin që kam bërë, nuk janë fjalë në erë”, tha ylli 22-vjeçar i TikTok.

Më i ndjekuri – Ai është ylli i TikTok. Gjatë izolimit për shkak të pandemisë ai filloi të postonte video të heshtura dhe prej andej filloi suksesi i tij, falë videove ironike dhe qesharake, të afta për ta bërë numrin një në botën e rrjetit të famshëm social, duke ia kaluar në popullaritet kërcimtares amerikane Charli D’Amelio.