Ekspertët e kostumeve për muze, të cilët ngritën alarmin në atë kohë, me sa duket kishin të drejtë: Kim Kardashian do ta “dëmtonte përgjithmonë” fustanin ikonik të Marilyn Monroe kur ajo këmbënguli ta vishte atë në Met Gala-n e fundit.

Disa kristale mungojnë, ndërsa të tjerat “varen nga një fije”, lexohet në llogarinë në Instagram të Marilyn Monroe Collection, që ka postuar foto të reja të fustanit prej sirene me të cilin 60 vite më parë diva këndoi “Happy Birthday Mr. President” për JFK.

Imazhet janë marrë javën e kaluar nga Scott Fortner, një koleksionist që punon për të vërtetuar dhe verifikuar sendet e Marilyn-it dhe që sot nuk e ka fshehur indinjatën e tij për prerjen që i është bërë “një ikone të kulturës, politikës dhe Hollivudit”.

Fustani i përket Ripley Believe It or Not, një atraksion turistik në Orlando që e bleu në vitin 2016 për mbi pesë milionë dollarë.

“Kanë qenë të papërgjegjshëm”, ka thënë Fortner për Press Association, edhe pse Kardashian e veshi fustanin vetëm për disa minuta, duke u veshur në një dhomë të zhveshjes ngjitur me tapetin e kuq dhe duke e ndërruar origjinalin me një kopje identike pasi u ngjit në shkallët e muzeut.

Performanca e influencueses, e fundit që hyri në festën e vitit të organizuar nga Anna Wintour të hënën e parë të majit, ka arritur të vjedhë skenën.

Për ta veshur fustanin super të ngushtë ‘nude look’ që i është qepur në trup Marilyn-it në dhomat e zhveshjes të Madison Square Garden, Kardashian ka humbur 8 kilogramë në tre javë, duke marrë kritika nga dietologët.

Pasi u zotua të mos e prekte fustanin origjinal për ta përshtatur me format e saj, Kim ka ndryshuar veten dhe megjithatë, pasi ka arritur momenti, nuk ka mundur ta mbyllte zinxhirin plotësisht dhe është detyruar ta fshihte sikletin poshtë një peliçeje të bardhë.