Hollywood Reporter dhe Variety kanë publikuar lajmin që mund të ngrohë zemrat e thyera të fansave të “Game of Thrones” pas përfundimit të diskutueshëm të serialit.

HBO duket se ka filluar të zhvillojë një serial të ri të dramës fantazi kushtuar tërësisht Jon Snow, një prej protagonistëve më të dashur. Dhe do të jetë Kit Harington që do të marrë rolin e personazhit që e bëri atë një yll botëror.

Projekti është në fillimet e tij dhe seriali do të jetë një vazhdim i ngjarjeve që ndodhën pas përfundimit të sezonit të tetë, me Jon Snow i cili ishte një nga personazhet e paktë që i mbijetoi finales shkatërruese.

Ndërkohë, pas thashethemeve që kanë qarkulluar nëpër revista, as HBO dhe as përfaqësuesit e Harington nuk e kanë konfirmuar apo mohuar lajmin që ka ardhur pak javë pas debutimit të prequel-it të parë “House of the Dragon”.

Pas “Game of Thrones”, Harington luajti në Marvel Cinematic Universe, në kastin e “The Eternals” dhe iu përkushtua teatrit me Enrico V.

Rikthimi në rolin e Jon Snow, për të cilin ai mori dy nominime për Emmy, me siguri do të jetë një sfidë, veçanërisht për veten e tij pasi tha se kishte probleme psikologjike, duke përfshirë depresionin dhe alkoolizmin pas përfundimit të “Game of Thrones”.

“Kam patur probleme mendore pas Game of Thrones. Dhe për të qenë i sinqertë edhe gjatë fundit. Mendoj se ato duhet të lidhen me natyrën e shfaqjes dhe atë që kam bërë prej vitesh”, tha ai në 2021-shin.

Gjatë rehabilitimit, ai u ndihmua nga gruaja e tij Rose Leslie, e njohur pikërisht në xhirimet e serialit (ishte Ygritte me të cilën Snow kishte një lidhje). Të dy u martuan në vitin 2018 dhe patën një djalë tre vjet më vonë.