Një nga zakonet tona të mëngjesit është të rregullojmë krevatin dhe ta lëmë shtëpinë në rregull, përpara se të dalim për punë. Por, sipas ekspertëve, rregullimi i krevatit në mëngjes nuk qenka një ide edhe aq e mirë. Dhe një nga arsyet kryesore është…higjiena.

Ne e dimë dhe kemi dëgjuar shpesh nga trajnerë dhe influencues të ndryshëm se si rregullimi i shtratit çdo mëngjes sjell përfitime te ne, duke na bërë të ndihemi më produktivë dhe më të organizuar. Por, shumë ekspertë nuk bien dakord me këtë konstatim të tyre.

E kjo pasi sipas tyre, gjëja më e shëndetshme në mëngjes nuk është të rregullosh shtratin. Një i rritur mesatar sipas tyre humb 285 ml lëngje çdo natë dhe kjo do të thotë që kur rregullojmë shtratin çdo mëngjes, ne marrim gjithë atë lagështi edhe gjatë ditës.

Sipas ekspertëve, rekomandohet që pas gjumit të natës, e sidomos në verë kur temperatura është edhe e lartë, të heqim çarçafët për t’i dhënë mundësi dyshekut të marrë frymë’ dhe lagështia të avullojë. Edhe dysheku do të zgjasë më gjatë.