E ardhmja e Leo Messi është ende pezull, por në Argjentinë tashmë e marrin të mirëqenë rinovimin e kapitenit me Barcelonën. Ai do të qëndrojë në “Camp Nou” edhe për dy vite të tjera, siç u zbulua nga një zyrtar sportiv në ESPN Argjentinë. Lajmi bëhet me dije nga gazetari Sebastián Pollo Vignolo. Përveç kësaj, i njëjti gazetar theksoi se klubi katalanas do të ngulmojë për Neymar, si yllin e ardhshëm për të luajtur sërish së bashku me “10”.

Duhet të mbahet mend se Messi dhe babai i tij, Jorge, tashmë janë takuar me Laportën për të diskutuar mbi të ardhmen e tyre. Mësohet se kapiteni dëshiron të vazhdojë edhe dy vite në elitë dhe pastaj do të mirëpriste kalimin tek Inter Miami, për të luajtur në MLS në fundin e karrierës.

Nga ana tjetër, drejtori sportiv i PSG, Leonardo, nuk dëshironte të fliste shumë për të ardhmen e Neymar, i cili ende nuk ka nënshkruar rinovimin e tij me ekipin parizien. “Duhet ta marrim gjithçka me qetësi”, – u përgjigj ai, para se të kthehej në Paris, pasi pa gjysmëfinalen Barça-PSG të Ligës së Kampionëve për femra.

Ditë më parë, sipas RAC1, Barça i ka nisur tashmë përpjekjet për të nënshkruar me Neymar. Pozicioni momental i klubit parizien është i palëvizshëm: Neymar është lojtar i patransferueshëm. Por, verën e vitit të ardhshëm ai del lojtar i lirë, mund të largohet falas… Kjo është frika më e madhe e drejtuesve të PSG.