63 gola në pesë sezone nuk mund të harrohen brenda natës. Kujtesa e tifozëve të Lazio është shumë e mirë për të mos ditur se në historinë e klubit të tyre ekziston një hapësirë ​​e madhe e rezervuar për Miroslav Klose, një pikë referimi për sulmin e “shqiponjave” nga viti 2011 deri më 2016.

Sot, ai mban rolin e zëvendësit të Hans-Dieter Flick në stolin e Bayern Munich, i cili do të përballet me Lazion në “Olimpico”, nesër në mbrëmje, në ndeshjen e parë të 1/8 finale të Ligës së Kampionëve. Një angazhim madhor për kryeqytetasit italianë, të thirrur për të dhënë më të mirën e tyre kundër kampionëve të Europës dhe botës në fuqi.

I intervistuar nga “Gazzetta dello Sport”, në prag të ndeshjes, Klose u shpreh pa modesti false mbi përballjen me ish-ekipin e tij: “Immobile, Luis Alberto… Correa, gjithashtu luan mirë. Milinkovic është shumë i fortë, di ta mbrojë mirë topin, ka një goditje potente. Lazio ka armë të rrezikshme, por unë dua të jem i qartë: nëse futemi në fushë në mënyrën e duhur, atëherë ndryshimi midis Bayernit dhe Lazio do të duhet të shihet qartë”.

Shpresa e tifozëve rivalë të Romës është që Bayern Munich, gjithashtu të shënojë sa më pak gola ndaj Lazio, pas 1-7 që tronditi verdhekuqtë më 2014. “Pra, duhet të përfundojë 6-1 ose 7-2? (qesh). Seriozisht nuk mendoj se ndeshja mund të jetë e ngjashme me atë mes Bayernit dhe Romës. Me cilësinë e Lazios, as mund ta imagjinoj një rezultat të tillë”.

Do të ketë gjithashtu sfidë brenda sfidës, midis Ciro Immobile dhe Robert Lewandowski, rivalë të ethshëm sezonin e kaluar për pushtimin e “Këpucës së Artë”, të fituar më pas nga sulmuesi Italian: “Për mua, Lewandowski është një lojtar i nivelit të lartë, absolut. Edhe më parë e vlerësoja shumë, por tani që e stërvit dhe e shoh çdo ditë, mund të them se ka shumë pak dobësi. Robert është është i fortë edhe me kokëj, i kupton situatat, është i shpejtë. Sipas mendimit tim, Immobile është shumë i mirë. Ai krijon mundësi, di të luajë në thellësi, ka një goditje të mirë. Megjithatë, Lewandowski ka diçka më shumë”.