Në Spanjë, janë gjetur mbetjet fosile të paraardhësit më të vjetër të qenies moderne njerëzore (Homo sapiens) që ka shkelur në Europë.

Artifakti, i gjetur më 30 qershor në guroren “Sima del Elefante” të Sierra de Atapuerca, një komunë në rajonin autonom të Castile dhe Leon, është në fakt 1.4 milion vjet i vjetër dhe është 200,000 vjet më i vjetër se të dhënat e mëparshme fosile.

Në mënyrë të veçantë, paleoantropologët kanë zbuluar një fragment të nofullës së sipërme dhe mollëzës së një ekzemplari ende të paklasifikuar të gjinisë Homo, i cili mund të na ndihmojë të rindërtojmë historinë evolucionare njerëzore.

Shkencëtarët besojnë se mund t’i përkasë një anëtari të popullatës së parë të njerëzve të lashtë që mbërriti në kontinentin europian.

Fosili është identifikuar nga një ekip kërkimor spanjoll i udhëhequr nga shkencëtarë nga Grupi Kërkimor i Fondacionit Atapuerca, të cilët bashkëpunuan ngushtë me kolegët nga Qendra Kombëtare për Kërkimin mbi Evolucionin Njerëzor (CENIEH) në Burgos dhe nga Instituti i Paleoekologjisë Njerëzore dhe Evolucioni Social (IPHES) i Tarragona.

Konfirmimi do të vijë nga analizat e radiokarbonit që do të kryhen në laboratorët e Qendrës Kombëtare për Kërkime mbi Evolucionin Njerëzor në Burgos.

Studiuesit synojnë të krahasojnë gjetjet e hominidëve të ndryshëm për të kuptuar nëse ka lidhje në evolucionin e fytyrës. Megjithatë, ata besojnë shumë të ngjarë që kjo nofull i përkiste një njeriu që i përkiste një prej popullatave të para që kanë kolonizuar Europën.

Lloji ynë, Homo sapiens, evoluoi në Afrikë rreth 300,000 vjet më parë dhe arriti në Kontinentin e Vjetër 45,000 vjet më parë, duke zëvendësuar Neandertalët. Për të mësuar më shumë rreth fragmenteve të kockave të sapo gjetura, do të duhen rreth dhjetë muaj.