Nesër, Barcelona do të ndeshet me Getafe. Do të jetë në një ndeshje që korrespondon me javën e gjashtë të La Liga-s. Synimi është rikthimi te fitorja, pas barazimit të fundit kundër Sevilla. Trajneri Ronald Koeman doli në konferencë shtypi, ku nënvizoi mes të tjerash:

Për Pjanic – “Ai arriti më vonë për shkak të çështjes COVID dhe iu desh të stërvitej më shumë, për t’u kompletuar fizikisht. Është shumë pozitive që ka luajtur dy ndeshje me kombëtaren e tij. Sa keq që dëmtoi shpinën, por për fat të mirë mjeku më dha siguri se mund të stërvitet pa probleme. Jam i sigurt se do të ketë minuta dhe më shumë, duke marrë parasysh kalendarin e ngjeshur që kemi përpara”.

De Jong – “Frenkie nuk ishte në nivelin e tij kundër Sevilla. Nëse ka ndonjë lojtar autokritik, ai është De Jong. Vetë ai e di se nuk ishte mirë. Përkundrazi, ai ishte më i miri me Hollandën. Nuk duhet të harrojmë se ai është një lojtar shumë i ri, do të ketë edhe momentet “jo”. Mua më intereson e përgjithshmja”.

Riqui Puig – “Unë kam parë një pjesë të ndeshjeve U-21 dhe ai luajti. Nëse do të thirret…, ka një shans për të luajtur”.

Shanset e Dembélé – “Ai ka shumë cilësi dhe pak nga pak do të jetë mirë fizikisht. Diçka doli në shtyp për stërvitjen e tij… Në fakt, ai është stërvitur si të gjithë të tjerët, si Konrad dhe Aleñà, për shembull. Nuk ka luajtur shumë, por ajo që po jep në stërvitje më lumturon”.

Për Griezmann – “Unë nuk dua të vazhdoj të flas për individualitete. Nuk kam asnjë problem me Antoine. Trajneri është në krye dhe duhet të marrë maksimumin prej lojtarëve”.

Situata – “Ne gjithmonë duam që më i miri të fitojë në çdo ndeshje. Pas ndeshjeve të kombëtareve gjithmonë ka lodhje në ekipet e mëdha. Sot kemi seancën tonë të fundit stërvitore dhe do të vendosim se cili formacion do të luajë nesër”.

Për fjalët e Griezmann – “Ne të gjithë kemi të drejtë të flasim. E dimë se këto gjëra mund të ndodhin. Unë fola me Antoine dje, jo sepse ai foli më parë. Ne biseduam për pozicionin dhe performancën e tij. Unë i kam thënë që jam duke kërkuar më të mirën për ekipin. Unë mendoj se pozicioni i tij më i mirë është në krahun e djathtë, sepse ka më shumë liri… Në fund të fundit, unë vendos për të mirën e ekipit. Secili lojtar duhet të japë maksimumin”.

Përshtatja e Sergiño Dest – “Është shumë mirë që e kemi këtu. Sistemi i lojës së Barçës nuk është shumë i ndryshëm nga ai që ka luajtur tek Ajax. Po ashtu, është mirë që ai nuk ka luajtur me ekipin e tij kombëtar, e kemi pasur këtu. Ai mund të luajë duke filluar nga nesër. Është e ardhmja e kësaj skuadre”.

Për Ter Stegen – “Që të martën e kaluar ka punuar në terren dhe gjithçka po shkon mirë. Unë nuk mendoj se do ta arrijë “El Clasico”, është herët dhe nuk duhet të caktojmë një datë. Kur të jetë gati, ai do të jetë mirë. E presim kthimin e tij sa më shpejt, megjithëse jemi shumë të kënaqur me punën e Netos”.