Ronald Koeman, trajneri hollandez i Barcelonës, e ka përcaktuar finalen e Superkupës së humbur të dielën (2-3) kundër Athletic Bilbao në Seville si “një ndeshje shumë të diskutueshme”. Megjithëse është “i trishtuar”, sepse “futbolli luhet për të fituar tituj”, ai nënvizoi se “nuk ka kohë për t’u qarë”.

Koeman pranoi se ishte “shumë e vështirë për të fituar, kur kundërshtari shkoi përpara dy herë dhe barazoi pak para vërshëllimës së fundit të kohës së rregullt, pothuajse në minutën e 90”. Dy gola që erdhën nga “dështimet në mbrojtje”, teksa apeloi për të qenë “më të fuqishëm në zonë”.

Trajneri i Barcelonës shpjegoi se puna e tij konsiston në “dhënien e maksimumit, nuk është mirë ose keq për të fituar apo humbur”, megjithëse pranoi se kjo humbje “ka qenë shumë e vështirë”, por nuk do të thotë “një hap prapa” në përparimin e ekipit. Epo, hollandezi shpreson që kjo të tregojë “se ai është në rrugën e duhur”.

Ronald Koeman, i cili refuzoi të komentojë dëbimin e Leo Messit me të kuqe, sepse është “më mirë të mos flasësh për gjyqtarët”, shpjegoi vendimin për ta aktivizuar kapitenin e tij, pavarësisht dëmtimit që kishte: “Vetë ai e di nëse është i aftë apo jo për të luajtur. Messi tha se ishte këtu për të luajtur dhe ka bërë më të mirën”.