Ronald Koeman nuk ankohet. Asnjë trajner tjetër para tij nuk ka pasur kaq pak hapësirë manovrimi te Barça. Që kur mbërriti aty, i është dashur të punojë me “miellin” që ka gjetur, pa plotësuar asnjë nga kërkesat e tij në merkato. Gjithsesi, nuk e ngre zërin. Klubi ia kanë shpjeguar situatën: nuk ka para dhe për këtë arsye nuk priten përforcime dimërore. As Eric Garcia, as Depay dhe as Wijnaldum nuk do të vijnë tani. Madje, tensioni i faturës së pagave duket se po e mbyt klubin.

Hollandezi shprehet: “Unë nuk e di nëse është e vërtetë ajo që ka dalë në shtyp, lidhur me borxhin e klubit. Unë mendoj se Barcelona është një nga skuadrat e mëdha, që vuan më shumë se të tjerët për shkak të çështjes së Covid. Gjithashtu, për shkak të turizmit që ka shumë ndikim këtu. Por, numrat janë të këqij kudo, jo vetëm këtu. Unë kam parë lojtarë të përfshirë në stërvitje sot. Nuk kam parë lojtarë të shqetësuar për këtë çështje. Ne e dimë se është një çështje e komplikuar dhe të gjithë kemi ndihmuar për ta lehtësuar sadopak”.

Përkundër këtij skenari, me zgjedhjet presidenciale pezull, Koeman lufton kundër idesë së një sezoni kalimtar. Askush nuk i sheh ata si favoritë në Champions as që të fitojnë La Liga-n, por Kupa e Mbretit mund të jetë një rrugë shpëtimi këtë sezon: “Ne përpiqemi të luftojmë për të gjithë titujt. Por, duhet të jemi realistë; Atlético ka një avantazh të madh, po tregon formë të shkëlqyeshme dhe tani do të ketë pushim. Ama, derisa të jetë e mundur matematikisht, do të provojmë të pamundurën. Kupa është një turne më i shkurtër dhe e luajmë për ta fituar”.

Barça do të përballet me Rayo të mërkurën, me Messi të përfshirë në listë. Pasi pushoi dy ndeshje për shkak të pezullimit, kapiteni kthehet i freskët dhe i etur: “Ai me të vërtetë dëshiron të luajë dhe të fitojë gjithçka. Leo është mësuar të luajë rregullisht dhe dëshiron të jetë në të gjitha ndeshjet. Nesër në mëngjes do ta vendos formacionin”. Trajneri theksoi se argjentinasi e ka kapërcyer shqetësimin e tij dhe se skuadra ka nevojë për efektivitetin e kapitenit: “Është e vërtetë që kishte disa shqetësime, por tani e ka lënë gjithçka pas. Ai është i freskët, pa shqetësime. Për të fituar gjëra, ne kemi nevojë për një Messi në nivelin maksimal. Na nevojitet shumë efektiviteti i tij”.